Frika nga huliganët, “Rusi 2018” me një risi për tifozët

12/12/2017 15:19

Rusia nuk dëshiron të ketë probleme në stadiume gjatë Botërorit të vitit 2018, e për këtë arsye autoritetet kanë vendosur të aplikojnë një sistem që do t’i ndihmojë ata të kontrollojnë tifozët që do të hyjnë në stadium.

Bëhet fjalë për “Fan ID”, ose “Pasaporta e Tifozit”, që do të jetë e detyrueshme për të gjithë.

Për të hyrë në stadiume, përveç biletës që kanë blerë tifozëve do të duhet t’u tregojnë autoriteteve edhe “Pasaportën e Tifozit”.

Ajo që të bën përshtypje është se, “Fan ID” nuk është vetëm një masë sigurie, por edhe një avantazh për tifozët. Këta të fundit, nëpërmjet këtij dokumenti do të mund të udhëtojnë falas nëpër qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet e kompeticionit më të rëndësishëm futbollistik.

Ky mekanizëm i kontrollit të tifozëve është përdorur edhe në Kupën e Konfederatave, ndërkohë që janë hapur tashmë zyrat në 5 stadiume, ku “Pasasportat e Tifozëve” kanë filluar të shpërndahen.

“Jemi një një fazë shumë të rëndësishme të përgatitjeve për Botërorin 2018. Pas shortit, momenti më i rëndësishëm është shitja e biletave dhe pajisja e tifozëve me detyrim me ‘Fan ID’. Deri në këtë moment janë bërë 80 mijë kërkesa për këtë dokument”, tha Vitali Mutko.

Top Channel