Kryeministri Rama tha se pavarësisht problematikës së papunësisë, e vërteta është se kemi rezultate inkurajuese, por edhe një potencial të madh dhe të pashfrytëzuar në këtë fushë.

“Rritja e numrit të njerëzve që sot në Shqipëri jetojnë me punë është një rritje e konsiderueshme dhe e pamohueshme në rast se i referohemi fakteve dhe jo kur opinionet tona i shesim si fakte”, deklaroi Kryeministri.

Ky është rezultat edhe i reformave të ndërmarra përfshi atë të arsimit dhe shërbimit publik të punësimit, vijoi Rama, ku falë shërbimit kombëtar të punës, mbi 80 mijë njerëz janë punësuar dhe rreth 60 mijë të papunë kanë përfituar të paktën një kurs formimi falas. Por për Kryeministrin, sipërmarrja sot përballet me dy probleme të mëdha.

“Mungesa e kualifikimit të krahut të punës dhe mungesa e dëshirës për të punuar dhe për t’u lodhur në sektorin privat”, u shpreh ai.

Ndërsa ministri Ahmetaj pohoi se papunësia është duke u ulur, por mbetet prezente.

“Ka shumë të papunë që kërkojnë punë, e ndërkohë sipërmarrja ka deklaruar që janë 36 mijë vende të lira pune. Ka vetëm një arsye që është sfidë e jona, që ka të bëjë me sfidën e arsimit profesional në Shqipëri. Është që të afrojmë kërkesën e sipërmarrjes me aftesitë”, u shpreh Ahmetaj.

Dhe për Kryeministrin arsimi profesional është e vetmja rrugë për të luftuar papunësinë.

“Problemi kryesor në këtë vend është lufta me një mentalitet që kur dalim jashtë kufijve bëjmë çdolloj pune, ndërsa në vendin tonë nuk e bëjmë”, tha Rama.

Top Channel