Kumbari, udhëtimi i fundit. Top Channel ndjek varrimin e Toto Riinës

21/11/2017 19:52
Varrezat e Korleones

Totto Riina është një nga eksponentët kryesorë të mafies italiane që iku nga kjo jetë i papenduar për krimet që ka bërë. Ai mori me dhjetëra dënime me burgim të përjetshëm si përgjegjës për qindra vrasje.

Toto Riina ishte drejtuesi i organizatës më famëkeqe të Italisë, Cosa Nostra. Nga Korleone, perandoria e tij e krimit u përhap në gjithë botën perëndimore.

Toto Riina ndërroi jetë në agoni në burg, ku po vuante dënimin dhe gjatë së martës ai po transportohet në qytezen e tij të lindjes. Riina është dënuar edhe për vrasjen e prokurorëve Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.

Në Siçili ndodhet edhe i dërguari i Top Channel, Thimi Samarxhiu, i cili ka qenë i lidhur drejtpërdrejtë me edicionin qendror të lajmeve të Top Channel.

Ilir Paço: Thimi, ti ndodhesh në atë që quhet “Pema e Falcones”, një pemë simbol ku njerëzit lënë mesazhe kundër mafies. Sot edhe njeriu që urdhëroi vrasjen e tij nuk jeton më. Si po e përjeton Siçilia fundin e famëkeqit Toto Riina?

Thimi Samarxhiu: Palermo, Katania dhe e gjithë Siçilia nuk janë më të njëjta me ato të 25 viteve më parë, kur bombat dhe lufta mafioze mbushte rrugët me viktima. Toto Riina nuk është më dhe bashkë me të kane ikur edhe shumë emra të njohur të botës së krimit. Por ndërsa kanë ndryshuar emrat, nuk është larguar krimi. Ende në Siçili ka një rrjet mafioz që trafikon armë, drogë, por edhe klandestinë nga vendet e luftës e që bashkëpunon me grupe kriminale jashtë Italisë. Padrinoja i krimit të organizuar s’është më, por mafia është ende prezente këtu.

Ilir Paço: Thimi, ky është udhëtimi i fundit i një prej kriminelëve më të mëdhenj që ka njohur Italia. Autoritetet italiane kanë marrë masa dhe thuhet se gjithçka do jetë një ceremoni familjare. Por ndërkohë ka një interes të shtuar të medias ndërkombëtare që po ndjek këtë udhëtim

Thimi Samarxhiu: Ka forca të shumta policie dhe prani të mafies. Trupi pritet të mbërrijë pas mesnate. Policia ka marrë masa që ky varrim të shkojë i qetë.

Ilir Paço: Thimi, mafia nuk është thjesht një histori, por edhe një e tashme që prek edhe Shqipërinë. Ti ishe pak javë më parë në Katania për të ndjekur gjyqin ndaj grupit të drejtuar nga Moisi Habilaj. Procesi ndaj tyre po vazhdon edhe me implikime shumë të forta politike në Shqipëri

Thimi Samarxhiu: Po Ilir, Prokuroria e Katanias e ndoqi prej disa vitesh grupin e Habilajve dhe vuri në pranga pjesën më të madhe të tij. Në Shqipëri është arrestuar ndërkohë ai që akuzohet si financieri i grupit, i cili kërkohet nga shteti italian. Ky grup është vetëm një pjesë fare e vogël e lidhjeve shumë të forta mes kriminalitetit shqiptar dhe atij italian, ku spikasin organizatat Ndrangheta, Camorra, Sacra Corona Unita dhe Cosa Nostra, që nuk janë thjesht të dëgjuara nga filmat apo historia. Drejtësia shqiptare dhe ajo italiane po punojnë për të goditur rrjetet dhe këto grupe, sepse ashtu siç mund të thoshte Bertolt Brecht, Toto Riina vdiq, por jo barku që e lindi.

FOTO GALERI
1/6
Pamje nga varrezat e Korleones

Top Channel