Veliaj: Dakordësohet kredia me BERZH për investimet në ujësjellës

14/11/2017 13:11

Bashkia e Tiranës merr miratimin e BERZH për kredinë fillestare nëpërmjet së cilës do të investohet në Ujësjellës-kanalizime. Brenda këtij viti do të zgjerohet impianti i Bovillës çka pritet të dyfishojë sasinë e ujit që filtrohet si dhe të furnizojë me ujë zonën e Kasharit dhe Unazës së madhe.

“Me këtë kredi dhe me këtë ristrukturim që i bëmë UKT-së mundësojmë largimin e kësaj krize dhe një gangrenë që ka 27 vite që prek këto pjesë të Tiranës. Kjo është vetëm faza e parë, pastaj do të vazhdojmë me kreditë dhe investimet e tjera që të sigurohemi që qyteti e ka brenda 5 viteve paketën e investimeve që mundëson ujë 24 orë”, tha Veliaj.

Kryetari i bashkisë Erion Veliaj mori pjesë në konferencën e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike organizuar nga BERZH në Bonn të Gjermanisë nga prezantoi dhe projektet miqësore me ambientin që po aplikohen në Tiranë, siç është dhe nisma më e fundit për futjen e autobusëve elektrikë në transportin publik.

“Ne kemi mbaruar me sukses testimin e autobusit elektrik në Tiranë dhe ky është një rast tjetër për t’u bërë apel të gjitha kompanive që janë sot operatorë, të fillojnë dhe të bëjnë porositë e tyre për autobusët elektrik. Ky është një apel për kompanitë që nuk ofrojnë shërbime në Tiranë, nëse kanë autobusë elektrikë qoftë me qira apo në pronësi dhe duan të vijnë të marrin një licencë në qytetin e Tiranës, ne automatikisht do t’i japim prioritet . Nëse asnjë prej të parave nuk ndodh, pra as ekzistuesit nuk rinovojnë flotën apo dhe të rinj nuk janë të gatshëm, atëherë Bashkia e Tiranës do të përgatitet t’i shkojë Këshillit Bashkiak me një propozim ku krijojmë një kompani publike për të sjellë autobusët elektrikë, për t’i sjellë vetë si Bashki e Tiranës. Besoj se këto janë risitë që të gjitha qytetet avangardë po i eksperimentojnë”, tha ai.

Veliaj prezantoi një tjetër politikë mjedisore, atë të shtimit të korsive të biçikletave në Tiranë

Top Channel