Kuvendi: Jo arrest Tahirit. Miratohet raporti i mazhorancës

25/10/2017 11:49

E mërkura në Parlament kaloi pa surpriza, përveç shpalosjes së disa pankartave opozitare kundër Qeverisë.

Votimi për të mos lejuar Prokurorinë të arrestojë Saimir Tahirin shkoi ashtu siç e donte mazhoranca.

Saimir Tahiri nuk mori pjesë në votim, por këtë e paralajmëroi që në fillim, kur mori vetëm disa sekonda nga e drejta për të folur para Parlamentit.

“Kjo sallë ka dëgjuar shumë njerëz që janë betuar dhe përbetuar, kështu që unë do ua kursej çdo fjalë timen lidhur me këtë. Jam shumë i bindur, askush nga ju nuk ka kohë për të humbur, unë aq më pak e mbi të gjitha nuk pres ta gjej të drejtën time dhe të vërtetën time këtu në sallën e Parlamentit, por aty ku më takon, para drejtësisë dhe para të gjithë qytetarëve. Kështu që pres çdo vendim tuajin cilido aq qoftë. Rruga ime për të gjetur drejtësinë nuk ndalet dot”, tha Tahiri.

Qeveria dhe opozita mbrojtën pozicione krejt të kundërta në çështjen “Tahiri”.

Socialistët i qëndruan idesë se Prokuroria nuk solli prova të mjaftueshme, ndërsa opozita është e bindur se ish-ministri i Brendshëm ka qenë mbrojtja politike për trafikun ndërkombëtar të drogës nga Habilajt.

Mes opozitës nuk kishte asnjë dallim për atë që e cilësojnë sjellje me dy standarde të Kryeministrit për të mbrojtur krimin dhe për të burgosur njerëzit e zakonshëm për fatura të papaguara.

“Treguat që keni frikë nga e vërteta, treguat që jeni peng i krimit dhe i trafikut të drogës. Ky veprim i sotëm tregoi edhe një herë që mazhoranca nuk do të realizojë reformën në drejtësi”, tha Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

“Sot, me këtë votë i keni vënë gozhdën e fundit një familje politike dhe ideologjike që sot e keni kthyer në një familje kriminale. Trëndafilin e keni zëvendësuar me lulen e hashashit. Vota e sotme është votë dëshpërimi, paniku për ty Edi Rama dhe për këdo tjetër në këtë sallë që nuk u çlirua dot nga interesat e ngushta personale dhe frikën nga dosjet që do të hapen”, u shpreh Basha.

Opozita u largua pothuajse në fund të seancës, por e dëgjuan ironinë e përdorur nga Kryeministri Rama.

“O Selman i vëllait, kë të qaj më parë, ty a motrën tonë që ju zu i njëjti hall. As kam kë qaj, as kam si ju qaj, përveçse duke iu thënë këtu në sy që kush i bën shqiptarët për budallenj në fund e ha”, tha Rama.

Kryeministri, i cili beson se opozita udhëhiqet nga urrejtja, kishte edhe një këshillë për të.

“Mos vazhdojnë të na urrejnë sepse sa më shumë të na urrejnë do të humbasin logjikën”, tha Kryeministri në Kuvend.

Top Channel