Kukësi mposht Teutën, vijon ndjekjen e Skënderbeut. Kamza befason

16/10/2017 22:28

Kukësi ka siguruar një fitore të thellë 4-2 ndaj Teutës së Durrësit në “Zeqir Ymeri”, duke ruajtur distancën prej 3 pikësh në ndjekje të Skënderbeut kryesues, edhe pse u duk se atë që kishte arritur për pak desh e shpërdoroi në 10 minutat e fundit.

Ekipi verilindor kaloi në avantazh me anë të Bakajt në minutën e 18, për të dyfishuar rezultatin në minutën e 31-të me anë të Ethemit. Me këtë rezultat do të mbylleshin 45-minutat e para, ndërsa në pjesën e dytë pati shumë gola.

Në fillim verilindorët trefishojnë falë një autogoli të Hakajt, në minutën e 83-të, por vetëm 3 minuta më pas shkaktojnë penallti dhe Teuta shënon me anë të Hilës. Katër minuta më vonë, kur përfundonte koha e rregullt, Lena shkurtonte distancën në 3-2, duke u rrezikuar fitoren kuksianëve. Por ishte Aliev, ai që vulosi gjithçka në minutën e 4-t shtesë.

Në takimin tjetër të luajtur në stadiumin e Kamzës, vendasit mposhtën minimalisht Vllazninë e Shkodrës. Për kamzalinjtë mjaftoi një gol i Imerit në minutën e 86 për të vulosur fitoren e dytë radhazi, e po kaq në 6 javët e para të Kategorisë Superiore për të sapongjiturit, që tashmë ngjiten në kuotën e 9 pikëve, po aq sa Flamurtari.

Vlonjatët, nga ana e tyre, lënë pikë të çmuara për të tretën javë me radhë, teksa këtë herë barazuan 1-1 ndaj kurbinasve në Laç. Edhe pse kaluan të parët në avantazh në minutën e 34-t me anë të Busiç, vlonjatët nuk ditën të ruajnë kryesimin, teksa në minutën e 54-t shkaktojnë një penallti në favor të laçianëve, që ekzekutohet dhe konvertohet në gol nga Reginaldo.

Skënderbeu vijon të mbetet në krye i vetëm, me 16 pikë, i ndjekur nga kampionët në fuqi të Kukësit me 13 pikë, ndërsa më të distancuar janë Flamurtari e Kamza, me nga 9 pikë secili.

Laçi e Teuta ndajnë vendet 5-6 me nga 7 pikë secila, ndërsa Luftëtari, Vllaznia dhe Partizani gjenden në kuotën e 5 pikëve, 3 më shumë sesa Lushnja e vendit të fundit me vetëm 2 pikë.

Java e 6 e Kategorisë Superiore mbyll siparin me ndeshjen e pasdites në orën 17, mes Partizanit dhe Luftëtarit, në “Selman Stërmasi”.

Top Channel