Shqipëria, në qëndresën “pariziene” ndaj Iranit. Bolton: Regjimi bie në 2019

01/07/2017 00:00

Regjimi i ajatollahut nuk do të arrijë të festojë 40-vjetorin në pushtet dhe do të rrëzohet brenda vitit 2019. Me këto fjalë, ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, John Bolton iu drejtua mijëra të pranishmëve në takimin më të rëndësishëm të opozitës iraniane, që u zhvillua në Paris.

“Unë e kam thënë se politika e deklaruar e SHBA-ve duhet të jetë rrëzimi i regjimit në Teheran. Sjellja e tyre nuk ka për të ndryshuar, kështu që duhet të ndryshojmë vet regjimin. Dhe ne do të jemi aty në vitin 2019, për të festuar lirinë në Teheran”, tha John Bolton.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin dhjetëra delegacione nga e gjithë bota, përfshi edhe Arabinë Saudite, e cila e ka kundërshtuar ashpër marrëveshjen SHBA-Iran të administratës “Obama”.

Edhe Shqipëria ishte e pranishme në këtë takim, me delegacionin e saj drejtuar nga Pandeli Majko.

“Kam ardhur çdo vit këtu në 5 vitet e fundit dhe kam dëgjuar për njerëzit tuaj në Ashrafi. Tani ju them në emër të popullit shqiptar se ata janë të sigurtë tani në Shqipëri. Marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe iranianëve janë shumë të mira. 2.700 njerëz refugjatë nga kampi i Ashrafit tani janë pjesë e familjes shqiptare. Në Shqipëri patëm zgjedhje, por këtu në këtë delegacion ju s’e kuptoni dot se kush humbi e kush fitoi. Kjo, për shkak se për kauzën tuaj, për t’iu ndihmuar juve, nuk ekziston opozitë”, tha Pandeli Majko.

“2.700 shtetas iranianë jetojnë sot në Shqipëri. Pa asnjë incident dhe në mënyrë shumë të organizuar, ne mirëpritëm motrat e vëllezërit tanë, të cilët nuk i përkasin ndonjë grupi terrorist, por janë njerëz që luftojnë për demokraci më të mirë e për paqen. Ata janë plotësisht të integruar në Shqipëri”, tha Elona Gjebrea.

“Pas çdo dite që kalon, jam më i bindur dhe i nderuar se, si shqiptarë, ne kemi marrë vendimin e duhur për t’iu bërë juve pjesë të familjes sonë dhe të vendit tonë. Me këtë, ne kemi nderuar traditën tonë e kemi respektuar miqtë tanë, që i kemi pasur pranë në kohë të rëndësishme, veçanërisht Shtetet e Bashkuara”, tha Fatmir Mediu.

Historia ka provuar se, kur Shtetet e Bashkuara premtojnë diçka, i shkojnë deri në fund. Mbetet për t’u parë nëse historia do të vijojë edhe për regjimin e ajatollahut.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel