Cirku “Ringling Bros” përgatitet për shfaqjen finale

20/05/2017 00:00

Pas 150 vjetësh, cirku “Ringling Bros” përgatitet për shfaqjen finale. Performanca e tij do të ndezë të dielën Nassau Coliseum në Long Island të Nju Jork, ose të paktën këtë shpresojnë pronarët.

“Pas shumë diskutimesh, familja ime vendosi se me rënien e shitjes së biletave, gjëja më e duhur për t’u bërë është mbyllja e Ringling Brothers”, tha Alana Feld, Feld Entertainment.

Akrobatët, artistët e trapezit, patinatorët dhe klounët do të thonë lamtumirë pas 48 000 shfaqjeve në 284 qytete të botës të regjistruara vetëm në 49 vjet, që prej vitit 1968. Majin e vitit të kaluar, Ringling Bros hoqi dorë nga pjesa e tij e famshme e elefantëve, e cila kishte më shumë se një shekull që gjente vend në spektaklet e Ringling Bros dhe Barnum & Bailey Circus. Arsyeja ishin sulmet e vazhdueshme të grupeve për mbrojtjen e kafshëve, të cilët e akuzuan cirkun për keqtrajtim të elefantëve.

“Elefantët janë shumë mirë. Janë sistemuar në qendrën për kujdesin ndaj këtyre kafshëve në Florida, ku kanë një trajtim të jashtëzakonshëm. Disa prej kafshëve tona, të cilat zotërohen prej prezantuesve, do të kthehen në shtëpi bashkë me ta, ndërsa të tjerave do t’iu gjejnë një strehë të re”, u shpreh Alana Feld.

Drejtorit Johnathan Lee Iverson i vjen keq që brezat e ardhshëm nuk do të kenë mundësinë ta shohin më këtë cirk me famë botërore.

“Ky lloj kaq i pastër argëtimi, në këtë nivel kaq të lartë artistik, po zhduket për ta. Nuk ka mbetur më asgjë atje jashtë”, tha Johnathan Lee Iverson, drejtor cirku.

Cirku do të mbyllet me sloganin që ka përdorur deri më tani: “Show më i jashtëzakonshëm në botë”.

Top Channel