Eurovizioni, Shqipëria do përfaqësohet me “Botë”

09/05/2017 00:00

Linda Halimi, përfaqësuesja shqiptare në garën europiane të këngës do të prekë sonte në mbrëmje skenën e Eurovision. Është “Botë” kënga përfaqësuese, e cila do të vijë në variantin në gjuhën angleze ajo që do ta ngjisë të katërtën në skenën e Kievit Lindën.

Për emisionin Wake Up në Top Channel, në orët e para të mëngjesit të së martës, menjëherë pas provës gjenerale, këngëtarja përshëndet publikun shqiptar duke nxitur votimin për këngën shqiptare me numrin 4.

“Jam në backstage, sapo mbarova performancë për jurinë. Sonte kemi një natë shumë të rëndësishme. Mos harroni të votoni Shqipërinë numër 4. Faleminderit shumë për mbështetjen. Ju kam shumë xhan. Jam shumë e lumtur me çdo gjë që po shkon mirë dhe shpresojmë për më të mirën. Faleminderit shumë!”, tha Linda.

Lindita ka marrë vlerësime për potencën vokale të saj gjatë prezantimeve të mëhershme të këngëve pjesëmarrëse në këtë edicion të Eurovision.

Shkëlqimi i Lindës nuk do të limitohet vetëm tek vokali i saj, pasi sonte këngëtarja shqiptare do të shkëlqejë edhe përmes gurëve të shndritshëm në ngjyrë argjendi, të cilët zbukurojnë veshjen të cilën këngëtarja e prezantoi mbrëmjen e së hënës në ceremoninë zyrtare të çeljes së këtij eventi në tapetin e kuq, një dizejim nga Joni Peçi.

Në mbrëmjen e 9 majit, në gjysmëfinalen e parë të kësaj gare muzikore, do të konkurojnë 18 shtete.

Top Channel