Edhe piktorët mund të kompozojnë muzikë, nëse çdo vepër të tyre e perceptojnë si një tingull përmbledhja e së cilëve krijon melodinë e ngjyrave.

23 artistë të rinj kanë bashkuar penelatat për të sjellë për publikun melodinë e tyre në Muzeun Historik Kombëtar.

“’Melodi’ ka qenë e qëllimshme dhe jo rastësi. Artistët janë një notë muzikore në penelata, ngjyra, formë e vëllim. Mblidhen të gjithë bashkë për të krijuar melodinë e pikturës. Ky ka qenë qëllimi kryesor: bashkimi i notave muzikore që ka çdo artist”, tha Ila Selo, kuratore.

“Melody” bën bashkë artistë të rinj, talenti i së cilëve, sipas kuratores është vështirë të dalë në pah nëse mundësitë për promovim janë të limituara.

 “Duke marrë shkas nga vetja që jam një artiste jo e afirmuar dhe jam në hapat në vazhdim të kësaj rruge, ashtu kam ndihmuar e më kanë ndihmuar miqtë e mi artistë. Jemi të rinj në fushën e artit dhe duhet të promovohemi”, thotë Ila Selo.

Ndaj, për të arritur qëllimin e tyre në rrugën e vështirë të afirmimit, ata nuk ndalen, edhe nëse do t’u duhet të kërkojnë mbështetje qoftë edhe tek partitë politike.

“Është thjesht ekonomike, nuk është politike, është artistike, sepse ka kosto çdo gjë duke nisur që nga vendi, nga çdo gjë që ndihmon në ekspozitë. Në jemi të rinj, nuk kemi mundësi të mëdha për t’u organizuar”, thotë kuratorja.

Top Channel