Itali, arrestohen xhihadistët nga Kosova

30/03/2017 08:30

Policia dhe karabinierët kanë vënë në pranga tre shqiptarë të Kosovës dhe kanë ndaluar një minoren, që dyshohet se ishin pjesëtarë të një celule xhihadiste. Sipas “Corriere della Sera”, bëhet fjalë për Fisnik Bekaj, 24 vjeç, Dale Haziraj, 25 vjeç dhe Arjan Babaj, 27 vjeç, që punonin si kamarierë në disa lokale të qytetit.

Pas atentatit në Uestminster më 22 mars, i kanë dëgjuar në telefon teksa lëvdojnë aktin. Policia dhe karabinierët e mbikqyrnin prej muajsh grupin dhe kishin mbledhur prova mbi qëllimet e disa prej tyre për të shkuar në Siri e për të luftuar atje përkrah militantëve islamikë.

Sulmi terrorist në Londër dhe komentet entuziaste që pasuan, i kanë shtyrë hetuesit të ndërhyjnë menjëherë, ndërkohë që grupi përballë lajmit të vrasjes së tre kalimtarëve dhe një polici nga ana e Khalid Masood, kishte shfaqur qëllimin për të bërë diçka të ngjashme edhe në Venecia, në ndonjë nga pikat me më shumë interes turistik.

“Vendos një bombë në Venecia dhe shkon menjëherë në Parajsë, aq shumë të pafe ka këtu”, ishin shprehur ata. Me pak fjalë, po planifikonin një atentat. Kishin shkarkuar nga interneti manuale të luftimit trup më trup, që përfshinin edhe teknikat e përdorimit të thikave. Se në çfarë niveli përgatitjeje ishte plani, nuk është ende e qartë.

Policia dhe karabinierët kanë kryer 12 kontrolle, 10 në qendrën historike të Venecias, një në Trevizo dhe një në Mestre. Të gjithë të ndaluarit janë me origjinë nga Kosova, me leje të rregullt qëndrimi në Itali. Shtypi italian, teksa pasqyron ngjarjen, shkruan se Kosova është një zonë e nxehtë për xhihadizmin dhe sipas të dhënave, janë 300 luftëtarët që nga Kosova i janë bashkuar xhihadistëve, bashkë me 160 nga Shqipëria dhe 250 nga Bosnja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA