Zërat lirikë “Jorgjia Truja”

24/03/2017 00:00

Promovimi i artistëve të rinj nëpërmjet stimulimit artistik ka qenë që kur mori jetë vetë qëllimi i konkursit të zërave lirikë “Jorgjia Truja”.

Dajana Malollari është studente e vitit të dytë për kanto në Universitetin e Arteve. Në edicionin e tretë të këtij festivali ajo është fituesja e kategorisë C, që përfshin grupmoshat nga 19 deri 25 vjeç.

Ajo është studente e sopranos së mirënjohur Edit Mihali. Eksperienca e së cilës në skenë dhe pedagogji është e madhe. Ndërsa në këtë ditë ajo sheh e lumtur një frut të punës së saj të përditshme.

Gëzohem shumë për Dajanën. Koha nuk ka të krahasuar, para ’90 është një periudhë e artë, pas ’90-s ajo erdhi duke u zverdhur. Kam patur fatin që në brezin tim të kem patur personalitetet më të lartë si pedagogë”, shprehet sopranoja Edit Mihali.

Dajana e sheh të ardhmen e saj në skenat jashtë Shqipërisë. Ashtu si shumica e këtyre zërave të rinj.

Nëse do të këndoja në teatro të mëdha operistike do të ishte shumë bukur dhe e aspiroj këtë”, shprehet Dajana Malollari.

Koncerti  me zërat e rinj lirikë u mbajt në Ministrinë e Kulturës, përpara një jurie profesioniste e përbërë nga Enzo Tei, Marian Kuiper, Mariana Leka dhe kryetare nderi Inva Mula. “Vetëm kur e pashë aty u drodha e tëra”, thotë Dajana.

Festivali i zërave lirikë, që mban emrin e këngëtares së madhe lirike Jorgjia Truja, po shndërrohet në traditë. Ideatorja dhe drejtorja artistike Klodi Zheji e shtriu gjeografikisht këtë festival edhe me pjesëmarrës nga Kosova. 14 finalistët sollën një koncert emocionues me një repertori të pasur.

Top Channel