Teatri Eksperimental del nga Tirana

22/03/2017 00:00

Është mirë kur publiku shkon te teatri, por edhe më mirë kur teatri shkon te publiku, duke nxjerrë në pah anën shëtitëse që e ka të domosdoshme. Teatri Kombëtar Eksperimental ka filluar një tur, që do të prekë qytete të ndryshme në Shqipëri.

“E filluam këtë javë me Vlorën, patëm sukses. Një ndjekje shumë e mirë nga publiku vlonjat. Do të vazhdojmë fundjavën e ardhshme e për 3 ditë me radhë në qytetin e Fierit, për të vazhduar më pas me qytetet e tjera”, tha Kiço Londo, drejtor i Teatrit Eksperimental.

Kjo është një ambicie për një teatër që ka vetëm dy vite e gjysmë jetë. Megjithatë, kjo thyerje e vetërrethimit të sheshit “Skënderbej” është edhe një mënyrë për të kërkuar publikun e tij.

“Do të shkojmë edhe në Kukës, ku nuk ka një traditë teatri. Do të shkojmë edhe në Peshkopi, që ka një traditë teatri, por edhe në Tepelenë e Kavajë, që s’kanë traditë. Do të shkojmë në vende të ndryshme për të pasur një dinamikë”, shton më tej Kiço Londo.

Me këtë shëtitje, e sigurtë është që numri i shfaqeve të këtij teatri në javë do të rritet dhe aktiviteti do të zgjerohet. Duke i ardhur nga afër një publiku që e do teatrin e eksperimentit.

“Jemi teatri më i varfër, por gjithsesi jemi të qartë”, tha Londo.

Top Channel