Shërbim “call center” për biznesin e vogël

20/03/2017 00:00

Gjatë muajit shkurt, 25 mijë tatimpagues të biznesit të vogël u njoftuan për zgjidhjen e një problemi nga shërbimi i Qendrës së Thirrjeve.

Ky shërbim, që prej datës 1 shkurt është ngritur në kuadër të lehtësimit të procedurave tatimore. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj bëri thirrje që biznesi të ketë sa më shumë komunikim me Qendrën e Thirrjeve për të marrë zgjidhje, apo konsultë për çdo problem.

“Së pari, që këtu operatorët me specialistët informojnë sipërmarrjen për problematikat që mund të dalin gjatë punës së tyre. Pra, kjo lehtëson procedurën nëpërmjet punës dhe komunikimit nga zyra dhe në të njëjtën kohë sipërmarrja ka mundësi të pyesë specialistët online”, ka deklaruar Ahmetaj.

Janë mesatarisht 1 mijë tatimpagues në ditë që telefonohen nga Qendra e Thirrjeve, ndërsa vullnetarisht specialistët në këtë qendër deri tani kërkojnë 50 sipërmarrës. Drejtoresha e përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero kërkon që binzesi të shfrytezojë më shumë këtë shërbim.

“Këto shërbime janë profesionale, shkurtojnë kohë dhe kosto dhe ne synojmë t’i vazhdojmë ato me shërbime të përmirësuara online, që janë po aq profesionale”, ka deklaruar Vjero.

Top Channel