Pazari i ri çelet për Ditën e Verës

09/03/2017 00:00

Pazari i Ri do të çelet javës tjetër, dhe pikërisht Ditën e Verës, ashtu dhe siç është shprehur më herët kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Aktualisht po punojmë në Pazarin e Ri, i cili është zemra ekonomike e Tiranës dhe e traditës, por edhe një vlerë e shtuar për të gjitha investimet dhe pronat aty. Jemi në sprint, që ky vit të na gjejë me një “Shkollë të Kuqe” të rikonstruktuar dhe me shkollën “Hoxha Tahsin” krejt të re, ndërsa në mes të marsit do të hapim Pazarin e Ri, që është pulsi ekonomik i qytetit”, tha kryebashkiaku.

Veliaj vlerësoi vendimin e marrë pak kohë më parë nga Bashkia e Tiranës për të zhbllokuar zhvillimin dhe përmirësimin e infrastrukturës në Njësinë nr. 8, që pritet të rrisë edhe më tej ekonominë e qytetarëve.

Rikonstruksioni dhe ndërtimi i shkollave është një tjetër fokus i kryetarit të bashkisë së Tiranës, përveç atij të transporti urban. “Shkolla e Kuqe” do të jetë e re vitin e ardhshëm shkollor, pasi kanë nisur punimet për ristrukturimin e saj.

“Por, nuk mjafton vetëm infrastruktura. Na duhet të investojmë fort edhe në kulturë, në qytetarët e rinj të Tiranës. Këtu kemi 1 mijë nxënës të shkëlqyer, është një ndër shkollat më të mira në Tiranë, nga ku dalin shumë nxënës ekselencë, ndaj mezi pres që ta mbarojmë investimin që po bëjmë këtu me palestrat, nyjet sanitare, tualetet, e të kemi një ambient shumë herë më komod, duke qenë se shkolla po akomodon dy grupe nxënësish, edhe nxënësit e shkollës “Hoxha Tahsin”, të cilën po e rindërtojmë nga e para”, tha Veliaj.

Top Channel