Veliaj në mensën e Laprakës, u shërben drekën grave

08/03/2017 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj u shërbeu drekën e 8 Marsit grave të regjistruara në mensën sociale të zonës së Laprakës.

Urimin e tij, Veliaj e shoqëroi edhe me disa premtime që lidhen me vëmendjen e shtuar që do t’i kushtohet veçanërisht grave dhe njerëzve në nevojë me hapjen e mensave të tjera sociale.

“Jam shumë i lumtur që këtë vit kemi bërë disa gjëra të mira bashkë: kemi ndërtuar këtë mensë sociale, kemi ndërtuar një tjetër në Kombinat, po ashtu edhe një në Shkozë. Shumë grupime të tjera na janë bashkuar dhe ata po përfundojnë mensa të tjera sociale, ndaj unë besoj se kemi hedhur themelet e një qyteti solidar”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku po ashtu kërkoi solidaritet me të pamundurit, pavarësisht halleve dhe vështirësive.

“Vetëm duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke i dhënë dorën njëri-tjetrit mund të kemi një qytet përsëmbari dhe ku njerëzit janë solidarë”, tha Veliaj.

Top Channel