Kjo është diçka që shumica e njerëzve ndoshta mund të mos e dinë, por Gjykata europiane e Drejtësisë (ECJ), më e larta në Europë, ka vendosur se punonjësit që mund të sëmuren gjatë pushimeve mund të kërkojnë sërish pushime vjetore nga punëdhënësit e tyre.
Sipas gjykatës, edhe koha e harxhuar gjatë udhëtimeve për punë, përfshi ditën e nisjes dhe atë të mbërritjes, duhet të konsiderohen si ditë pune sipas ligjeve në fuqi. “ECJ”-ja vendosi se, punonjësit pa një vend zyrë fikse, mund të kërkojnë përfshirjen e udhëtimeve të tilla si kohë pune, gjë që momentalisht nuk mund ta bënin.
Kjo nënkupton se kompanitë që punësojnë elektriçistë, mirëmbajtësit e pajisjeve të gazit, punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe përfaqësuesit e shitjeve mund të jenë duke shkelur rregulloren e BE-së mbi periudhën e punës, nëse zgjedhin të braktistin për shembull zyrat rajonale.
Gjykata europiane e Drejtësisë argumentoi se në këtë mënyrë po mbron “shëndetin dhe sigurinë” e punonjësve, bazuar në direktivën e kohës së punës të Bashkimit Europian. Vendimi është marrë në lidhje me një çështje ligjore në Spanjë, ku përfshihet kompania “Tyco”, e specializuar për sistemet e sigurisë.
Në vendim thuhet se “fakti që punonjësit i nisin dhe përfundojnë udhëtimet në shtëpitë e tyre, rrjedh në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vendimi i punëdhënësit për të braktisur zyrën rajonale, e jo për shkak të dëshirës së vet punonjësve”.
Sa për pagën gjatë periudhës së sëmundjeve, bazë e vendimit rezulton të jetë rasti i Francisco Pereda, një punonjës i këshillit bashkiak të Madridit. Pereda u dëmtua vetëm pak para se të nisnin pushimet njëmujorshe të tij. Ai vendosi të ngrinte një çështje gjyqësore ndaj punëdhënësit, “Madrid Movilidad”, sepse ata refuzuan të shtynin pushimet vjetore të tij.
“EJC”-ja vendosi në favor të punonjësit, duke thënë se ai duhej lejuar ta shtynte periudhën e pushimit përgjatë pjesës tjetër të vitit. Në unison, edhe sindikata më e madhe e sektorit publik mbështeti vendimin e vitit 2009. “Nëse punonjësit sëmuren, ata sigurisht që nuk do t’i shijonin pushimet”, tha një zëdhënës i sindikatës për “the Guardian” në atë kohë. “Ndaj dhe ata duhen lejuar të negociojnë periudhën e pushimit kur shëndeti i tyre të përmirësohet”.
Megjithatë, ekspertë të ligjit të punësimit thonë se ekziston gjithmonë një mundësi që punonjësit të pretendojnë pushime shtesë, edhe nëse ata sëmuren pas nisjes së pushimeve. Thënë këtë, ata argumentojnë se nuk mund të marrësh pushime të mëtejshme, nëse sëmundja të zë papritur pasi je larguar për pushime. Gjithsesi, vendimi nuk specifikon se kur duhet që punonjësi të njoftojë punëdhënësin mbi sëmundjen apo dëmtimin fizik, apo çfarë provash duhet të kenë për ta vërtetuar këtë gjë.
Top Channel