Rusia trondit Serbinë, pranon pasaportat e Kosovës

01/08/2015 00:00

Moska “njeh” pasaportat e Kosovës, duke lejuar që persona të caktuar të mund të pajisen me viza për të udhëtuar në Federatën Ruse.

Lajmi në fjalë është bërë publik në faqen e internetit të Ambasadës Ruse në Beograd, e cila ka njoftuar se, “hyrja me pasaporta të qytetarëve të së ashtuquajturës “Republika e Kosovës” në territorin e Federatës Ruse është i mundur vetëm në rastet kur poseduesit e saj janë anëtarë ose pjesëmarrës të federatave të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, apo federatave ndërkombëtare dhe marrin pjesë në ngjarje sportive të mbajtura në territorin e Rusisë”.

Por për qëllime të tjera, hyrja me pasaportë të Kosovës në territorin e Rusisë, qëndrimi i Moskës, siç thotë vetë njoftimi, nuk ka ndryshuar.

Rusia që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk ka pranuar ta njohë atë dhe vazhdimisht ka theksuar se Kosova është pjesë e pandarë e Serbisë dhe se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e saj.

Por duket se vendimi më i fundit i Kremlinit nuk është pritur mirë nga mediat në Beograd. Gazeta “Blic”, në numrin e së shtunës, në faqe të parë, me një foto kryesore të Ivica Daçiç dhe Vladimir Putin, shkruan se “Putin pranon pasaportën e Kosovës”.

Duke e cilësuar si një vendim të befasishëm të miqve të tyre të mëdhenj, gazeta “Blic” ka intervistuar edhe ministrin e Jashtëm të Serbisë, Daçiç, i cili për këtë zhvillim diplomatik fajësoi Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, që vendosi të pranojë Kosovën si pjesëtare të tij dhe jo Rusinë.

Top Channel