Belgjika padit Facebook: Po shkel privatësinë

16/06/2015 00:00

Komisioni Kombëtar belg për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka vendosur të padisë Facebook. Padia vjen një muaj, pasi autoritetet i kërkuan kompanisë së Zuckerberg të tregonte se si i përdor këto të dhëna. Lajmi është publikuar nga shtypi vendas.

Çështja do të nisë formalisht të enjten e ardhshme në shkallën e parë të gjykatës civile në Bruksel. Në fokusin e komisionit belg është mënyra se si Facebook i gjurmon dhe i trajton të dhënat e atyre që janë regjistruar në rrjetin social, por dhe që nuk janë të regjistruar.

“Edhe ai që refuzon të ndiqet, është i ndjekur. Facebook e di se kush janë faqet më të frekuentuara nga njerëzit, pa i lajmëruar ata, duke thyer kështu normat që mbrojnë privatësinë”, thotë kreu i komisionit, Willem Debeuckelaere.

Padia e nisur nga komisioni belg është quajtur si ‘teatrale’ nga një zëdhënëse e shoqërisë, e cila ka shprehur gjithë habinë e saj për një lëvizje që vjen pak ditë para takimit të palëve, i caktuar për të enjten e ardhshme.

“Edhe pse ne jemi të bindur dhe besojmë që gjetjet e Komisionit janë të pabaza, do të vazhdojmë me dëshirë të bashkëpunojmë për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave”, ka thënë Tina Kulow, zëdhënëse e Facebook.

Top Channel