Kosovë, qeveria ul TVSH-në për produktet bazë

24/03/2015 00:00

Qeveria e Kosovës miratoi projektligjet që reformojnë sistemin tatimor të Kosovës, përfshirë ligjin e tatimit mbi vlerën e shtuar.

Nëpërmjet këtij ndryshimi të ligjit të TVSH-së reduktohet norma e produkteve bazë të shportës së konsumatorit nga 16 në 8 për qind dhe rritet në 18 për qind për produktet e tjera.

“Ndryshimet kryesisht kanë të bëjnë me uljen e pragut të regjistrimit të TVSH-së, tek tatimi mbi vlerën e shtuar dhe përshkallëzimi i normës së TVSH-së, duke vendosur një normë të reduktuar për produktet bazike, me qëllim që të bëhet një shpërndarje e barabartë në të ardhura e konsumatorit. Gjithashtu, duke marrë parasysh shkallën e lartë të papunësisë dhe se shumica shpenzon 45 për qind të të ardhurave të tyre për produkte ushqimore, atëherë reduktimi i TVSH-së për ato bazike vlerësojmë se do të rrisë mirëqenien e qytetarëve e veçanërisht atyre që kanë të ardhura më të ulëta”, deklaroi kryeministri Isa Mustafa.

Mustafa njoftoi se në shqyrtim është edhe lista për lirime doganore për aktivitet prodhuese, përmes së cilës synohet të ulet kostoja e investimeve.

“Po ashtu do të shqyrtohet lista për lirime doganore, për aktivitetet prodhuese që shërbejnë për prodhimtari të drejtpërdrejtë, përmes të cilave ne synojmë që të ulim koston e investimeve, përkatësisht të gjithë atyre që investojnë në vendin tonë. Konsiderojmë të rëndësishme këtë mbledhje të qeverisë sepse përmes saj ne po fillojmë të realizojmë disa prej synimeve që kemi në programin tonë qeverisës dhe po tregojmë se të gjitha ato do të realizohen dhe do të japin efektet e tyre në kohën e duhur”, theksoi Mustafa.

Projektligji për tatimin në të ardhurat e korporatave, që rregullon këtë fushë dhe projektligji për tatimin në të ardhurat personale janë dy projektligjet e tjera të kësaj pakoje, që kanë marr miratimin e kabinetit qeveritar. Nga ky takim u bë e ditur se është vendosur 10 për qind tatim për lojërat e fatit.

Me propozimin e Ministrisë së Financave, qeveria miratoi edhe vendimin për ndryshimin e normave të akcizës për duhanin, alkoolin dhe vajin për ngrohje, si dhe ka hequr kufizimin e vjetërsisë në importin e automjeteve.

Me vendimin e miratuar këtë mbledhje, qeveria ka vendosur që dividentet e këtij viti të Postës dhe Telekomit të Kosovës të paguhen në tre pjesë, pas çdo katërmujori.

Top Channel