Kosovë, stërvitje e emergjencave në aeroport

22/10/2014 00:00

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ ka realizuar
stërvitjen gjithpërfshirëse sipas Planit Emergjent, e cili mbahet një
herë në cdo dy vjet, ku të gjitha Agjensitë e Emergjencave Kombëtare
duhet të reagojnë.

Kjo stërvitje ka përfshirë uljen emergjente të një aeroplani me pasoja fatale jetësore dhe udhëtarë tjerë të lënduar, në fluturimin e improvizuar 997 RKS me 95 udhëtarë dhe 4 anëtarë të bordit.

Pas dhënies së alarmit, njesiteve të zjarrëfikësve dhe autoambulancave të aeroportit iu deshën 1 minutë e 30 sekonda kohë, për të arritur në vendin e ngjarjes. Ky reagim rezultoi të jetë brenda afatit të parashikuar, i cili është 3 minuta.

Pas pak minutash, kanë arritur edhe të gjitha Agjensitë e Emergjencave Kombëtare, përfshirë zjarrfikësit, autoambulanca, Policia e Kosovës, njësite të FSK-së e helikopterë.

Qëllimi i këtij plani është që të minimizojë efektet e emergjencave respektivisht të shpëtojë jetë dhe të aplikojë procedurat në bashkëpunim me të gjitha agjensionet në rast të ndonjë emergjence në Aeroport dhe rrethinë.

I gjithë procesi është përcjellë nga vëzhgues të vendit e ndërkombëtarë, të cilët do të japin edhe vlerësimin final të ushtrimit.

Top Channel