Liqeni i Ohrit, më i vjetri në Europë

03/10/2014 00:00

Liqeni i Ohrit është më i vjetri në Europë dhe zbulimet e fundit, të bëra në të prej një grupi studuesish italianë, tentojnë atë që mund të diktojë edhe disa parashikime mjedisore të së ardhmes.

Në një intervistë me Skype për Top Channel, drejtuesi i kërkimeve, profesor Giovanni Zanchetta, ekspert i Gjeo-Kimisë dhe Vullkanologjisë, tregon detaje nga ky zbulim.

“Rezultatet paraprake janë se, për herë të parë kemi një ide përafërsisht të saktë të moshës së këtij liqeni, i cili është më i vjetri i Europës. Të dhënat paraprake na lejojnë, që të mbështesim në mënyrë shumë të sigurt idenë se liqeni është më i vjetër se 1 milion vjeçar dhe ky është një zbulim i jashtëzakonshëm nga këndvështrimi gjeologjik dhe biologjik”, tha Prof. Giovanni Zanchetta, nga Universiteti i Pisas, Itali.

Por, gjatë kërkimeve, grupi i ekspertëve ka gjetur të dhëna tronditëse, të cilat, sipas tyre, mund të ndryshojnë rrjedhjen e njohurive mbi shpërthimet vullkanike dhe përhapjen e hirit të tyre.

“Në Italinë e Jugut ka shumë vullkane aktiv; si Campi Flegrei, Vezuvi dhe Etna; dhe gjatë shpërthimeve ato mund të emetojnë në atmosferë sasi të mëdha hiri vullkanik dhe gazi. Shpërndarja e tyre nëpërmjet qarkullimit të ajrit mund të shkojë shumë më larg se vendi i shpërthimit. Pra, të gjesh mbetje të vullkaneve të ardhura nga kaq larg, në sedimentet e Liqenit të Ohrit, për një periudhë më shumë se 1 milion vjeçare, na tregon sa shpërthime vullkanike kanë qenë në gjendje të vijnë deri në Ballkan dhe veçanërisht në Liqenin e Ohrit. Kjo është një e dhënë shumë e rëndësishme për të parë këtë proces dhe, me vijimin e kërkimeve tona, mund të arrijmë të kuptojmë se cili është impakti në ambient, në rast se në të ardhmen, – shpresojmë që jo, – vjen materiali vullkanik nga Jugu i Italisë. Kjo do të thotë që materialet e shpërthimeve të vullkaneve italianë arrijnë rregullisht në Ballkan dhe veçanërisht në Liqenin e Ohrit”, tha Prof. Giovanni Zanchetta.

Deri më tani janë arritur të gjenden mbetje vullkanike të 600 mijë vjetëve më parë, por gjithashtu edhe mbetje të një vullkani të regjistruar në histori në vitin 472.

“Nga ajo që na lejojnë materialet vullkanike, jemi rreth 600 mijë vjet më parë. Këto janë më të vjetrat që kemi gjetur deri më tani, por ka dhe të tjera. Po ashtu, ju them me siguri se kemi të dokumentuar mbetje të një vullkani të vitit 472 pas Krishtit, pak përpara se të regjistrohej një tërmet i fuqishëm, historik, në bazenin e Liqenit të Ohrit”, tha Prof. Giovanni Zanchetta.

Sipas profesor Zanchettas, si shteti shqiptar, edhe ai maqedonas, duhet të tregojnë kujdes të veçantë për ruajtjen e kësaj pasurie të njerëzimit, e cila kohë pas kohe po nxjerr të dhëna të rëndësishme mbi biodiversitetin dhe, mbi të gjitha, fakte të panjohura më parë për shpërthimet vullkanike.

Top Channel