Përkujtohet lufta e vitit 1914

18/08/2014 00:00

Një basoreliev gjigant do të përkujtojë në Fushbardhë të krahinës së Labërisë rezistencën, që banorët e Fushbardhës, Zhulatit e Cepos i bënë në 1914-n forcave të andartëve grekë, që hynë në këtë zonë nga qafa e Skerficës.

Vepra me gjatësi 7 m dhe lartësi 4,5 m është punuar me çimento të bardhë dhe përmbledh gati 70-80 figura njerëzore, dhjetra elementë të tjerë si kafshë, objekte të jetës së përditshme, armë dhe djepa.

Gjithë historia është e vendosur mbi tri male, si pjesë e të njëjtit kalvar me tri pjesë. Skulptori Murat Keraj fikson në anën e majtë të basorelievit Qershorin e vitit 1914, luftën dhe rezistencën. Mbi një tjetër sfond mali është vendosur eksodi i popullsisë drejt ullishteve të Vlorës dhe skena e tretë është ajo e rikthimit në banesa, 3 vjet me vonë.

Vepra, një tjetër monument gjigant pas statujës në dru të Idriz Sullit, e prodhuar nga druri i tharë i rrapit shekullor të fshatit, u përurua në praninë e krerëve vendorë, historianëve, studiuesve dhe qindra banorëve të zonës.

Basorelievi nisi të ndërtohej në Shkurt dhe përfundoi në Gusht, e u realizua me mbështetjen e emigrantëve dhe banorëve të kësaj zone.

Top Channel