Rama: Shqipëria, pasuri në Europë

14/06/2014 00:00

Gjatë vizitës së të tij në Francë kryeministri Rama dha një intervistë për televizionin francez France 24. I pyetur nga gazetarja e këtij televizioni se sa i rëndësishëm është statusi i vendit kandidat, Rama argumentoi se ai përbën një etapë jetike për zhvillimin e Shqipërisë.

“Mendoj se projekti i Bashkimit Europian i projektuar nga themeluesit është projekti më i mirë që civilizimi ynë mund të ketë imagjinuar. Shqipëria, ashtu si dhe Ballakani, bëjnë pjesë në këtë projekt. Ndërkohë, dëshira e popullit shqiptar, ashtu si e të gjithë popujve të tjerë të Ballkanit, është shumë e fortë për t’iu bashkuar Familjes Europiane. Mendoj se Shqipëria duhej ta kishte marrë statusin në muajin dhjetor. Nuk i ka bërë aspak mirë as Shqipërisë, as rajonit, që nuk e mori menjëherë. Sepse në fund të fundit statusi nuk është anëtarësim. Anëtarësimi do të jetë pas 10 vjetësh, por është një etapë shumë e rëndësishme për të filluar nga puna seriozisht për këtë proces modernizimi. Një proces, që mund të jetë i një cilësie shumë të mirë falë negociatave dhe këtij instrumenti integrimi, që është unik dhe i paçmueshëm”, deklaroi Rama.

Sipas Ramës, refuzimi i statusit në dhjetor ishte i lidhur me zgjedhjet në Bashkimin Europian. Ai komentoi se Europa më shumë se strategjike është bërë taktike. I pyetur në lidhje me realizimin e disa premtimeve në luften ndaj korrupsionit Rama tha:

“Ne jemi duke ndërtuar një shtet të së drejtës. Nuk është qeveria ajo që duhet të bëjë hetime. Por, ne kemi një objektiv të madh për të realizuar reformën në sistemin e drejtësisë, e cila duhet të bazohet në vlerat, parimet dhe mekanizmat e një vendi europian, që respekton standardet europiane dhe kriteret për një drejtësi të vërtetë e të drejtë. Është edhe kjo një arsye për të cilën kemi nevojë për statusin kandidat; për të filluar projektin e madh të reformave, që do marrë kohë, por padyshim do të na çojë në drejtimin e duhur”, theksoi Rama.

I pyetur në lidhje me synimet në zhvillimin ekonomik, Rama deklaroi se vendi ka shumë pasuri dhe popullësi të re dhe se me ndihmën e një programi të FMN-së, vendi ka fituar besimin e tregut.

Rama përmendi se sot gjithë rajoni i Ballkanit ka ndryshuar dhe nuk është më si më parë, në 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore është viti i parë që ka paqe dhe nuk ka asnjë konflikt. Sepse, tha Rama, të gjithë popujt e Ballkanit kanë rënë dakord nëpërmjet liderëve të tyre që të bëjnë paqe për Europën, për t’iu bashkuar këtij projekti të jashtëzakonshëm si ai i Shteteve të Bashkuara të Europës. Dhe ne lidhje me integrimin dhe krahasimin me Serbinë, Rama deklaroi se Shqipëria është një vend europian.

“Ne nuk jemi një vend mysliman, por jemi një vend europian, ku ka myslimanë dhe të krishterë që jetojnë bashkë. Jemi një vend unikal për këtë, në kuptimin që të krishterët festojnë Ramazanin dhe për Krishtlindje myslimanët festojnë si të krishterët. Për Europën kjo Shqipëri është një pasuri. E të prezantohet thjesht si një vend mysliman është shumë e gabuar dhe në anën tjetër, të gjithë ata që e përshkruajnë historinë e Shqipërisë myslimane si një histori që na pengon që të shkojmë në Europë, atëherë më lejoni të them që më vjen keq për injorancën tuaj dhe kapacitetin për të kuptuar që Europa nuk është një klub i krishter, por është diçka shumë më e madhe, më humane dhe më e mrekullueshme se kjo. Unë nuk kam dëgjuar kurrë të thuhet Franca kristiane, kam dëgjuar Franca laike, por sigurisht ka të krishterë dhe myslimanë”, shtoi Rama.

Top Channel