Polici mbështeste grupet kriminale

14/06/2014 00:00

Ministria e Brendshme njoftoi arrestimin e një punonjësi policie, i cili dyshohet se grumbullonte armë dhe municione me qëllim trafikimin e tyre dhe ishte mbështetës i grupeve kriminale në zonën e Kurbinit.

Në pranga është vënë inspektori, Ramazan Guri, 45 vjeç, me detyrë punonjës i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë së Laçit.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, pas referimit të bërë nga SHKB u krye kontrolli në banesën e punonjësit të policisë, ku në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan një automatik, 7 pushkë automatike, 2 çifte pa leje, 2 pako eksploziv i tipit tritol, ndezës të unifikuar, fitil zjarr-përcjellës, 8 granata dore dhe 3500 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Në cilësinë e provave materiale u gjetën edhe pjesë këmbimi automjetesh të vjedhura nga pika e bllokimit të mjeteve në Komisariatin e Policisë së Laçit.

Top Channel