Të ngujosh gjakmarrjen

24/04/2014 00:00

Dhjetra familje të ngujuara prej vitesh, dhjetra fëmijë që mbyllen mes katër mureve me frikën e vdekjes duke lënë shkollën dhe lojërat e moshës së tyre. Gjakmarrja, kjo plagë e shoqërisë shqiptare që vazhdon të marrë e të izolojë jetë.

Kësaj të hënë emisioni “Shqip” i gazetares Rudina Xhunga iu rikthye temës së gjakmarrjes nga Teatri “Migjeni” i Shkodrës me të ftuar klerikë, publicistë dhe intelektualë, përfaqësues të shoqërisë civile e të tjerë. Si të izolojmë fenomenin? Si të ndërgjegjësohen të prekurit nga ky fenomen? Si të shmangim vetëgjyqësinë? Cfarë duhet të bëjnë autoritetet dhe qeveria? Këtyre dhe shumë pyetjeve të tjera u dhanë përgjigje të ftuarit në studion e zhvendosur të emisionit.

Apeli i klerit fetar

Në pjesën e parë të ftuar ishin përfaqësues të besimeve fetare në Shkodër, Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Angelo Masafra dhe Haxhi Fejzi Zaganjori, përfaqësues i Myftinisë së Shkodrës për të treguar që jemi bashkë kundër fenomenit. Një shembull i mirë na vjen nga Kosova, kur Riza Krasniqi dhe Dom Lush Gjergji rrëfyen se si e mposhtën ngujimin, gjakmarrjen.

“Në Kosovë ndodhi mrekullia dhe komunitetet fetare ndikuan në mënyrë të shkëlqyeshme. Mjafton të themi që nismën e udhëhoqi Anton Çeta, Mark Krasniqi dhe Dom Lush Gjergji. Shumica e popullsisë është myslimane, por kurrë nuk u diskutua kjo punë. Toleranca fetare në Kosovë ka qenë e shkëlqyeshme. Besoj që edhe në Shkodër toleranca fetare është e shkëlqyeshme, edhe në Kosovë të ndërmerret e njëjta lëvizje që ne e kryem para 24 viteve”, thotë Krasniqi.

“Myftinia e Shkodrës në punën e saj, krahas detyrave fetare, padyshim që objekt ka njeriun, njeriu për të cilin duhet punuar me të, drejtuar në rrugën e drejtë, në rrugën e besimit. Janë organizuar shumë tryeza për gjakmarrjen. Shumë e shumë janë bërë shpresoj që edhe ky emision do të jetë frytdhënës dhe do të ndikojë në ndërgjegjjen e njerëzve që këtë vrasje, gjakmarrje, larje hesapesh, do quhet vrasje. Të ndalohet në Shkodër, Shqipëri dhe kudo. Myftinia e Shkodrës ka punuar në përcaktimin e zonave ku ka patur vrasje të hershme. Në këto zona kemi munduar të kryejmë pajtimi që të mos hapet një zinxhir tjetër dhe të krijohen vrasje të reja, që kalojnë jashtë fiseve më pas. Thuhet gjakmarrje, larje hesapesh, është vrasje, por është një jetë njeriu e dhuruar nga Zoti dhe vetëm ai mund t’ja marrë”, tha ndër të tjera, Haxhi Fejzi Zaganjori.

“Prova që do vërtet Zotin, është të duash njeri-tjetrin, pavarësisht se kush është ai. Puna kryesore që bëj duke ngjitur gjithë strukturat e dioqezës për ndërgjegjësuar, për drejtësi, paqe dhe ndihmë për familjarët e ngujuar, ndihmë psikologjike dhe materiale. Bëjme një fushatë të pandërprerë për jetën. Duke folur gjithmonë për gjakmarrje, mua nuk më pëlqen këtë fjalë. Gjaku nuk merret, cdo besimtar nuk mund të marrë gjakë, as të shitet gjaku, gjaku falet. Cdo njeri s’duhet të marrë gjak, duhet të falë, sepse falja është hyjnore”, deklaroi Arqipeshkvi i Shkodrës, Angelo Masafra.

“Unë besoj se argumentimi më i thjeshtë është se jeta na është dhënë për të dhuruar, për të shërbyer, për të ndihmuar që njerëzit të jenë sa më të lumtur, të realizojnë vetveten dhe planet e tyre në të gjitha nivelet. Ne nuk duhet të biem në nivelin e një arbitrariteti. Gjakmarrja dhe hakmarrja do të thotë mungesa e strukturës së nderit duke marrë përsipër fatin e dikujt. Gjatë fushatës, argumentimi im ishte: mjaft na kanë vrarë të tjerët dhe na ka vrarë koha, a jemi të pangopur me gjakun e vëllezërve dhe të motrave tona? Unë gjakmarrjen e përshkroj në tre pika; vetvrasje, vëllavrasje dhe së fundmi shndërrohet në vrasje. Pak na kanë vrarë të tjerët që ne të bëjmë vetëvrasje, të vrasim vëllezërit tanë? Të vrasim të tashmen dhe të ardhmen?”, u shpreh Dom Lush Gjergji.

“Gjakmarrja duhet të marrë fund. Ne sot në shekullin e 21, s’duhet ta kemi problem sepse nëse i drejtohemi parimeve të fesë, ne nuk pranojmë ngujimin e familjes, nuk pranojmë ngujimin fisive, por pranojmë që haku ose falja duhet të bëhet tek personi, ai duhet të paguajë dëmin që ka shkaktuar dhe ky dëm duhet të paguhet në mbështetje të ligjeve të shtetit, kodit penal dhe atyre që ka përcaktuar shteti dhe jo të ngujohen fëmijët dhe sidomos femrat, që në traditën shqiptare nuk ka bërë vaki. Këta njerëz që vrasin nuk janë besimtarë, nuk besojnë tek Zoti sepse edhe një hajdut nëse për një moment bindet se ka Zot, ai nuk  e kryen më aktin dhe pendohet. Është domosdoshmëri që të gjithë, pa përjashtim, jo vetëm komunitetet fetare, por të gjithë ne që të ndalet ky fenomen. Ne do të shkojmë në Europë, por në Europë nuk shkohet me armë, nuk shkohet me gjak. Gjaku nuk merret, gjaku është për t’u dhuruar”, shtoi Haxhi Fejzi Zaganjori.  

“Merremi me pasojat, jo me shkakun”

Një emër i artit, jo vetëm i Shkodrës, por i gjithë Shqipërisë, dramaturgu Fadil Kraja, gjithashtu një aktivist i kundër gjakmarrjes iu bashkua panelit në pjesën e dytë. Ai shprehet se fenomeni nuk njihet mirë nga publiku dhe thotë mendimin e tij.

“Ne rropatemi, bëjmë sikur e luftojmë dhe e urrejmë këtë fenomen, por mendoj që ta urresh dhe ta luftosh së pari duhet ta njohësh dhe ne me keqardhje e them që problemi njihet pak. Ne merremi me pasojën dhe jo me shkakun. Pasoja është fundi, shkaku të cilin edhe Gjeçovi e përmend ne e lëmë pas dore dhe merremi me pasojat. Unë do të thoja 80 përqind e atyre që vriten nuk vritet dorasi, por vriten familjarët. Ndodh kjo sepse vrasësi ose arrestohet ose largohet dhe vriten personat e tjerë, ky është fenomeni që duhet të kapim ne. Për fat të keq media nga mosnjohja nuk ka bërë punë të mira. Puna që ka bërë dikur kleri u ripërtëri tek shqiptarët e Malit të Zi, para 12 vitesh ku së bashku me klerin dhe fiset, morën një vendim që haku të merret vetëm tek dorasi. Sot atje nuk ka më ngujim, nuk vritet asnjë përvec dorasit atje. E bëmë edhe ne këtë, por media u kundërvu”, tha zoti Kraja.

“Të bëhemi të gjithë bashkë”

Pjesën e tretë, panelit iu shtua kreu i Shoqatës së Pajtimit të Gjaqeve në Shkodër, Nikolle Shullani.

“Sa i përket gjakmarrjes, e mira është të bëhemi bashkë të gjithë për të vetmen arsye se këtu, me sa kuptoj unë, që e njoh mirë Kanunin. Të respektosh atë kanun që ka qenë në atë kohë, janë shumë gjëra sot që për mendimin tim spekulojnë sot. U jam drejtuar studentëve sepse ata janë e ardhmja e kombit dhe unë e kam marrë Ardin në një pajtim.

Korrespondenti i TCH në Shkodër, Ardi Hoti u ndal të nisma. “Jemi duke bashkëpunuar me shoqatën e Pajtimit dhe puna jonë këtu është një plus shumë i madh për shoqatën sepse ne kemi treguar që e kemi shumë seriozisht dhe të gjithë së bashku mund të japim dicka ndryshe. Dua të bëj thirrje që të bashkohemi të gjithë. Kemi nevojë për të gjithë, të jemi një shtab i madh, të gjithë aktorët e shoqërisë”, thotë gazetari i Top Channel.

Zhdukjen e gjakmarrjes në Kosovë, disa e argumentojnë me luftën e popullit shqiptar atje për liri kundër serbit. Por Riza Krasniqi hodhi poshtë këto argumentime duke thënë se pushtuesit serbë në Kosovë kanë qenë prej vitesh, por asnjëherë nuk u zhduk gjakmarrja, vec së në vitin 1990  në fushatën e madhe. “Përkundrazi, gjakmarrja dhe serbët shkonin mirë bashkë. Gjakmarrja u zgjidh në Kosovë sepse situatën në dorë e morën studentët dhe pa marrë studentët në dorë situatën, gjakmarrja nuk zgjidhet”, apeloi Riza Krasniqi.

Top Channel