Maqedoni, debati për lumin Radika

31/01/2014 00:00

Deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare, Bekim Fazliu, prezantoi në foltoren e Kuvendit disa dokumente që, sipas tij, dëshmojë ekzistencën e projektit për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës.

Sipas deputetit opozitar, hartues të këtij projekti, që devijon rrjedhën e ujrave të lumit Radika, janë ministrat shqiptarë në qeverinë e Shkupit, të cilët drejtojnë prej një kohe të gjatë Ministrinë e Ekonomisë dhe atë të Ambientit Jetësor.

“Ja, para opinionit do të paraqes gjithë dokumentacionin e projektit për Fushën e Lukovës. Ky është projekti, që e ka nënshkruar ish-ministri Nexhat Jakupi. Ky është projekt-ligji që lejon të ndërtohet, në parkun e Mavrovës, hidrocentrali në Fushën e Lukovës, të cilin e kanë votuar të gjithë deputetët e BDI, që vjen si propozim i Ministrisë së Ambientit Jetësor, që udhëhiqet nga Abdilaqim Ademi. Dhe ja strategjia për burime energjetike, e nënshkruar nga Fatmir Besimi, dhe përfaqësuesve të Akademisë së Shkencave maqedonase. Çka mund të prisni nga kjo akademi, kur bëhet fjalë për shqiptarët”, tha Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Edhe pse të pranishëm në sallën e Kuvendit, ministrat shqiptarë nuk iu përgjigjën akuzave të deputetit të PDSH-së. Ditë më parë, kryeministri maqedonas Nikola Gruevski, por edhe ministrat shqiptarë në kabinetin e tij, kanë thënë se projekti për ndërtimin e hidrocentralit në Fushën e Lukovës nuk do të realizohet, nëse është i dëmshëm për mjedisin.

Top Channel