Lirohet ish-shefi i Kufirit dhe Migracionit

13/01/2014 00:00

Është liruar në sallën e gjyqit ish-drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Ylber Zyberi, i akuzuar për korrupsion. Prej mëse një muaji ai ka qëndruar nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’, në pritje që ndaj tij të niste gjykimi.

Pasi gjykata e shkallës së parë e Korçës vendosi ndaj Zyberit masën ‘arrets me burg’, ka qenë Gjykata e Apelit e cila me vendim të formës së prerë i ka klasifikuar të pavlefshme regjistrimet e prokurorisë. Pas këtij vendimi, mbrojtja ka kërkuar edhe revokimin e masës së sigurimit personal.

Në seancën e zhvilluar lidhur me këtë kërkesë, prokuroria edhe njëherë ka paraqitur para gjykatës një CD me përgjime në ambjente publike, por kjo e fundit pasi ka administruar provat ka shpallur vendimin e saj duke pranuar revokimin e masës dhe duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Ylber Zyberit.

Në muajin dhjetor gjykata dha masën ‘burg pa afat’ ndaj ish-drejtorit të Kufirit dhe Migracionit në Korçë, i cili u arrestua nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe kontrabandës.

Pasi u lirua nga Gjykata e Apelit, Zyberi i cilësoi akuzat ndaj tij një sajesë dhe mohoi që të kishte lidhje me kontrabandën. Ai akuzoi si të implikuar policinë, duke theksuar se kishte kërkuar ndihmën e Policisë së Korçës dhe e kishte informuar atë lidhur me vendin ku bëhej kontrabanda, por kjo strukturë kishte neglizhuar, pavarësisht se kishte qenë në dijeni të gjithçkaje.

“Ky ka qenë një proces i inskenuar dhe provat ishin të sajuara. Unë besoj tek drejtesia, nuk e kam humbur në asnjë moment besimin tek ajo dhe nuk kam dyshuar për të kundërtën”, tha Zyberi.

Top Channel