Arratisja e radhës e Taulant Tomës

19/12/2013 00:00

Shtetasi shqiptar, Taulant Toma, shënon një rekord të veçantë: brenda katër vjetësh arratiset nga burgu tri herë. Bëhet e ditur se ai është zhdukur tashmë edhe nga burgu belg, ku ishte në pritje të ekstradimit drejt Italisë.

Autoritetet e vendit bëjnë të ditur, se ai ka kapërcyer murin rrethues me ndihmën e të burgosurve të tjerë, ndërsa një automjet e priste jashtë.

Ndërkohë, tri persona të armatosur kishin marrë peng rojen e burgut. 29-vjeçari Taulant Toma po kërkohet tani në të gjithë Europën dhe identikiti i tij është shpërndarë gjithandej.

Ai duhet të vuante nëntë vjet dënim, në burgun e sigurisë së lartë në Parma, nga i cili u arratis në muajin Shkurt të këtij viti. Një arrati, që shkaktoi polemika të shumta, sepse ishte nga më klasiket: hekurat e dritareve të sharruara dhe zbritje me çarçafë nga muri rrethues.

Shtetasi shqiptar ishte mbyllur në burgun e sigurisë së lartë, pasi në Tetor të vitit 2009 ishte arratisur nga burgu i Ternit, gjatë një ndeshjeje futbolli të organizuar për të dënuarit.

Arratisjet e tij në Itali u lidhën me mungesën e sigurisë në burgje dhe personelin e paktë. Por, ikja e tij edhe nga burgu belg bën vërtet të besosh në nofkën me të cilën njihet: mjeshtri i arrastisjeve, ose më shkurt “UFO”.

Top Channel