Denoncimi, Didi shkarkon 9 zyrtarë

16/12/2013 00:00

Pas denoncimit në task forcën e Prokurorisë së Tiranës të ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, ish-zëvendësit të tij Rasim Borishi dhe 8 zyrtarëve të tjerë për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, ka ardhur edhe reagimi i drejtorit aktual të policisë, Artan Didi.

Didi ka marrë masën e përjashtimit nga Policia e Shtetit për ish-nëndrejtorin Rasim Borishi dhe tetë anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave.

Në materialin drejtuar prokurorisë, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm iu referua 5 tenderave që ishin organizuar më parë në shkelje të ligjit për prokurimin, me një vlerë mbi 3 milionë e 100 mijë dollarë.

Firma fituese ishte paracaktuar në tre tendera, ditë përpara se të hapej tenderi. Kontratat ishin lidhur para se të shpallej fituesi. SHKB kishte gjetur edhe shkelje të rënda flagrante, që kishin të bënin me proçedurat për ngritjen e tenderit.

Ndërkohë që e gjithë shuma monetare për spotet publicitare për informimin e qytetarëve për liberalizimin e vizave ishte marrë nga fondi për blerjen e uniformave të policise dhe fondi për qeverisjen vendore.

Nga të gjithë të akuzuarit, i vetmi që nuk është përjashtuar nga policia është ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj.

Top Channel