Shkozet, vritet gjimnazisti

04/12/2013 00:00

Adriatik Tota, 16 vjeç, nxënës i vitit të dytë në degën mekanikë, me origjinë nga Kukësi dhe banim në Rrushkull të Sukthit, është vrarë të mërkurën ndërsa ndodhej në ambjentet e shkollës profesionale ‘Beqir Çela’.

Ngjarja ndodhi në ofiçinën e praktikës mekanike në prani të mësuesit Thoma Llazari. Viktima ishte djalë i vetëm me dy motra dhe jetonte me nënën, pasi babai është emigrant në Itali. Ai është qëlluar me armë zjarri, një pushkë automatike e modifikuar, nga një nxënës i vitit të parë, banues tek zonë ‘Katër Rrugët’ e Shijakut.

Dyshimet kanë rënë mbi Endrin Varakun, 15 vjeç, i cili u vetëdorëzua në polici gjatë orëve të pasdites, pas bashkëpunimit edhe të prindërve të tij. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe arma e krimit, ndërsa nxënësit e klasës së viktimës dhe të dyshuarit si autor janë shoqëruar në polici për të dhënë dëshmitë e tyre.

Tota është goditur me dy plumba, njëri prej të cilëve e ka kapur pas veshit dhe i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Plumbi tjetër e ka goditur në krah. Arma e krimit dyshohet të jetë futur pjesë-pjesë në shkollë dhe më pas është mbërthyer pak para krimit nga autori.

Në ambjentin ku ndodhi krimi, që klasifikohet si një vrasje me paramendim, kanë qenë 22 nxënës të vitit të dytë dhe 7 nxënës të vitit të parë. Dyshohet se dy nxënësit kanë pasur një sherr banal një ditë më parë, por ende nuk ka një saktësim mbi motivin e ngjarjes nga grupi hetimor. Në vendin e ngjarjes shkuan edhe ministrat Tahiri dhe Nikolli.

“Është një ngjarje që duhet të na bëjë të gjithëve të ulemi dhe të diskutojmë për sigurinë në institucionet arsimore. Jemi në fazat për të marrë hapat e duhur për masat radikale për të garantuar sigurinë në shkolla. Jemi shumë pranë kapjes së autorit, i cili është nxënës i kësaj shkolle. Ne erdhëm këtu edhe për shkak se ngjarje të tilla janë të papranueshme, si dhe për të krijuar bazën e domosdoshme për një reformë radikale në institucionet arsimore”, u shpreh Tahiri.

“Unë si ministre e Arsimit garantoj opinionin, që ne jo vetëm i kemi të qarta planet e ndërhyrjes, por edhe ritmet tona të punës për të garantuar qetësinë, rregullin në institucionet arsimore”, tha nga ana tjetër ministrja Nikolla.

Ndërkohë, të afermit e viktimës, të tronditur, kanë shkuar në morg për të tërhequr trupin e 16-vjeçarit të vrarë. “Ka qenë çun i mirë, probleme s’ka pasur. Në shkollë polici s’ka, ne i çojmë fëmijët atje dhe na i vrasin”, ka thënë i afërmi Agron Tota.

Ministria e Brendshme njoftoi gjate pasdites autori i dyshuar u kap në një prej lokaleve të qytetit të Durrësit. Nga deklarimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta të një grindjeje mes adoleshentësh, ndersa vijon hetimi për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Vrasja, arrestohet mësuesi Thoma Llazari
Deklaroi në polici se nuk e njihte autorin, ndërsa e kishte nxënës

Ndërkaq, në mbrëmje, policia e Durrësit arrestoi mësuesin e autoteknikës, që po që zhvillonte praktikën mësimore me nxënësit e vitit të parë dhe të dytë, në çastin kur u vra me armë zjarri Adriatik Tota.

Sipas policisë lokale, arrestimi i mësuesit Thoma Llazari, 48 vjeç, me banim në Shijak, është bërë pasi, nga hetimet rezulton se ai e ka parë ngjarjen dhe nuk ka dëshmuar rreth saj, gjatë marrjes në pyetje.

Mësuesi ka deklaruar se nuk e ka parë autorin, pasi ai ka qenë i maskuar, ndërsa rezulton se ai ka qenë nxënës i tij dhe kjo dëshmi ka vështirësuar identifikimin e shpejtë dhe kapjen në kohë të autorit.

Ndaj mësuesit 48-vjeçar është ngritur akuza e moskallëzimit të krimit. Kodi penal parashikon dënimin me gjobë dhe deri në 3 vjet heqje lirie, për këtë vepër penale.

Mjedisi i dhunshëm në shkolla
Nxënësit: Grindjet mes adoleshenteve janë të vazhdueshme

Pavarësisht ngjarjes së rëndë, mësimi në shkollën ‘Beqir Çela, në Shkozet, vazhdoi për pjesën e mbetur të ditës. Ata që erdhën për të vijuar programin mësimor të pasdites, jo vetëm që nuk ishin të shoqëruar nga prindërit, por një pjesë e madhe e tyre nuk ndiheshin të frikësuar, pavarësisht se ngjarjen e konsideronin të rëndë.

Shumica e nxënësve pranojnë se mes tyre ka shpesh grindje për motive banale dhe ky mjedis i dhunshëm është bërë normal për ta. “Po, ka grindje. Ndodhin kot, pse më shef shtrembër, pse ecën kështu…”, tregon një nxënës i shkollës.

“Grindjet ndodhin ngaqë nxënësit janë nga zona të ndryshme. Ato janë të tipit ‘pse më shef, pse s’më shef’. Për gjëra koti”, thotë një tjetër.

A është shkolla Beqir Çela një shkollë që ofron siguri? A është kjo shkollë me ambiente të sigurta pas vrasjes tragjike të një bashkëmoshatari? Ngjarja përjetohet në menyre individuale.

“Frikë mund të kemi se mund të vijë edhe një tjetër me armë dhe të të vrasi”, i përgjigjet një djalë pyetjes nëse ka frikë në shkollë.

“Frikë s’kemi, por ndodhin këto gjëra. Siguri duhet të ketë gjithëkush për veten e vetë”, thotë një tjetër.

Shkolla ‘Beqir Çela’ ka një konvikt por me masa të rrepta sigurie. Në këtë perfundim doli edhe kontrolli i policisë pas ngjarjes. Policia ushtron kontrolle çdo ditë në shkollë dhe mban kontakte të përditësuara me drejtuesit e saj.

Viktima Adriatik Tota ishte një djalë i urtë dhe që mësonte, por pavarësisht kësaj ngjarja tragjike ndodhi. “Ishte çun i mirë, që nuk ngatërrohej me të tjerët. Ishte serioz dhe mësonte”, tregon një shok i klasës.

Rama: Ngjarje tragjike
Kryeministri reagon për vrasjen: Këmbanë alarmi për të gjithë

Kryeministri u informua menjehere rreth ngjarjes së ndodhur në Shkozet të Durrësit. I keqardhur për lajmin, Edi Rama shprehu ngushëllimet më të ndjera për familjen e djalit që humbi jetën dhe i kërkoi ministrit të Brendshëm dhe ministres së Arsimit të shkonin në vendngjarje për t’u siguruar që të afërmit e viktimës, studentët dhe mësuesit të kishin të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin e nevojshëm.

“Kjo ngjarje tragjike është një këmbanë e fortë alarmi për të gjithë, qeverinë, trupat mësimore, prindërit dhe shoqërinë në tërësi”, tha kryeministri. Ai kërkoi të bëhet një hetim i plotë dhe të njihet me të gjitha faktet, në mënyrë që të merren të gjitha masat e nevojshme që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

Basha: Ditë e zezë për qytetarët

Kreu i opozitës, njëherësh kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha duke reaguar për ngjarjen e rëndë të vrasjes në klasë të nxënësit 17-vjeçar në Durrës, akuzoi Qeverinë, jo vetëm për paaftësi në luftën ndaj krimit, por me ‘praktikat që po ndjek po njehsohet dita ditës me të’.

“Kjo është një ditë e tmerrshme për një familje durrsake, por edhe një ditë e keqe për qytetarët, pasi tregon dështimin total të Qeverisë për të luftuar krimin, sinjalet negative të keqpërdorimit të Policisë së Shtetit po i jep krimit ordiner dhe të organizuar. Pra me hapat që po hedh kjo Qeveri nuk po ndihmon me një shtet më të sigurtë me rend e ligj, por po njehsohet me shpejtësi ndër Qeveritë më të dështuara të Ballkanit. I bëj thirrje strukturave të Policisë së Shtetit të shkunden nga plogështia, të refuzojnë skenarët politikë që u servilen nga krerët dhe të bëhen një me qytetarët, qeveria me praktikat që po ndjek po njehsohet dita-ditës me krimin”, tha Basha.

Vrasja në ambientet e shkollës

Plumbat e një arme zjarri tronditën shkollën e mesme profesionale “Beqir Cela” në Shkozet të Durrësit mëngjesin e së mërkurës.

Rreth orës 10:00, një nxënës i vitit të dytë pranë këtij gjimnazi mbeti i vrarë. Pak orë pas ngjarjes, Policia e Durrësit tha se autori i dyshuar i vrasjes është 16-vjeçari i vitit të parë, Endrin Varaku. Dyshimet se vrasja është bërë nga një tjetër nxënës nisën kur pak metra larg vendngjarjes, në një stol, u gjet një veshje që mbajnë nxënësit në orën e praktikës.

Nxënësit e shkollës “Beqir Cela”, të ardhur nga rrethe të ndryshme të vendit dhe që jetojnë në konviktin brenda territorit të shkollës, thonë se një muaj më parë policia kishte bërë kontroll për armëmbajtje pa leje.

“Në konvikt ka rregull, ndërsa në shkollë nuk mund të kontrollohet lehtë pasi ka shumë nxënës. Policia ka bërë kontrolle herë pas here. Konflikte në shkollë ka pasur, por kurrë me armë”, thonë nxënësit.

E ndërkohë që ngjarja e rëndë ngre sërish debatin për sigurinë në shkolla, drejtori i kësaj shkolle, Bashkim Shkëmbi, i kontaktuar nga Top Channel nëpërmjet telefonit, thekson se mes Adriatik Totës dhe Endrin Varakut, autorit të dyshuar, nuk ka pasur asnjë konflikt të mëparshëm.

“Kjo ngjarje erdhi si rrufe në qiell të pastër. Adriatik Tota ishte një nxënës shumë i urtë, ndërsa Endrin Varaku, një nxënës inteligjent dhe tip i hedhur. Nuk ka pasur asnjë zënkë mes tyre në ambientet e shkollës”, thotë drejtori Shehu.

Por, sipas burimeve zyrtare policore mësohet se sherri mes Totës dhe Varakut ka qenë i mbartur dhe se arma është futur në ambientet e shkollës disa ditë para ngjarjes. Motivi mbetet ende i pazbardhur.

Top Channel