Konflikt mes policive për godinën e PSD

29/10/2013 22:10

Tre prej policëve që kundërshtuan urdhrat e policisë së rendit, gjatë një tentative të përmbarimit privat për të ekzekutuar një vendim gjykate në Tiranë, u arrestuan.

Të tre policët privatë u shoqëruan fillimisht nga policia për kundërshtim të forcave të rendit, më pas dhe u arrestuan.

Konflikti nisi herët në mëngjesin e së martës në zyrat e Partisë Social-Demokrate. Tentativa e përmbarimit me policinë private provokoi përplasje të forta, deri në konflikt fizik, mes efektivëve të policisë private “Aulona”, që ishin në mbështetje të përmbarimit dhe policisë së shtetit.

Për rrjedhojë, policia e rendit shoqëroi në komisariatin nr 3, thuajse të gjithë efektivët e policisë private, por vetëm për tre prej tyre mori arrestin në flagrancë.

Konflikti nisi kur policia e rendit i kërkoi asaj private që të lironte hyrjen e godinës. Zyrtarisht shoqërimi i policisë private është argumentuar me kundërshtimin dhe fyerje ndaj policisë së rendit.

Avokati që përfaqëson pronarin e godinës u shpreh se ka një vendim gjykate, që duhej ekzekutuar. Ndërsa kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, pretendon se dokumentet e pronarit të pretenduar janë të falsifikuara.

Deri në verifikimin e situatës, godina do të mbikqyret nga policia e rendit.

Top Channel