Shkodër, rikthehet frika e përmbytjeve

01/10/2013 00:00

Në këto ditë me reshje e gjithë Nënshkodra po mban sytë nga Drini. Komuna Ana e Malit që ndodhet buzë lumit është një nga zonat e cila përmbytet e para dhe është zona e fundit nga ku largohet uji.

Kryetari i kësaj komune, Xhevat Mollca, në lidhje me masat antipërmbytje shprehet se qeveria që iku nuk realizoi asnjë premtim.

“Investimet që janë bërë kanë qenë thjesht për mbrojtje nga erozioni. Vetëm me menaxhimin e mirë të kaskadës së Drinit shpëtojmë nga përmbytjet”, theksoi Mollca.

Një vit më parë Nënshkodra u përfshi nga një përmbytje masive ku me mijëra ha tokë me të mbjella u shkatërruan dhe dëmet e një viti më parë asnjëherë nuk u verifikuan.

Prej tre vitesh Nënshkodra është përmbytur në mënyrë sistematike dhe frika se dhe këtë vit do të ndodhë e njëjta histori është kthyer në një makth për banorët e këtyre anëve.

Top Channel