“Brenda 10 viteve, anëtarë në BE”

18/09/2013 00:00

Në fund të vizitës së tij, në Bruksel kryeministrit Edi Rama dha një intervistë për Euronews, duke u ndaluar vecanërisht tek perspektiva europiane e Shqipërisë dhe luftën kundër korrupsionit.

“Ne kemi shënuar shumë progres, por ende ka shumë për të bërë dhe unë shpresoj shumë që brenda 10 vjecarit të ardhshëm, kjo ambicie do të jetë përmbushur dhe Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian”, deklaroi kryeministri Rama.

Ndërsa në Europë flitet për të ashtuquajturin stërmundimin nga zgjerimi, Kryeministri Rama kujton anëtarësimin e një shteti të ri, si Kroacisë dhe thotë se Shqipëria do t’i sjellë Europës më shumë energji pozitive dhe entuziazëm.

Duke folur për korrupsionin në Shqipëri dhe imazhin e krijuar prej tij, kryeministri Rama thote se në një farë mënyre nuk është i pamerituar, por debatet që vazhdojnë në Britani, Francë apo Gjermani për zgjerimin tregojnë më shumë frustrimit e njerëzve në vendet anëtarë.

“Këto frustrime nuk do të lehtësohen duke mbajtur jashtë shqiptarët, serbët, maqedonasit, malazezët nga familja europiane sepse në fakt nuk ka të bëjë me ta. Kush është kundër zgjerimit është më shumë kundër tij për qëllime politike lokale se sa për një shqetësim të mirëfilltë se ku po shkon BE”, tha Rama.

I pyetur se cfarë duhet bërë konkretisht apo se cilat janë rregullat e reformës së gjerë, Edi Rama thotë:

“Na duhet të modernizohemi, të modernizojmë institucionet, shërbimet dhe mënyrat tona të komunikimit. Jemi gati për ta bërë dhe do ta bëjmë”.

I pyetur nëse korrupsioni i përhapur në Shqipëri do të kompromentojë parimet e tij, kryeministri shqiptar mendon se kjo lidhet me sistemin e shkatërruar dhe jo me ADN e njerëzve.

“Nëse i dërgon shqiptarët në Britaninë e Madhe dhe i vendosni në shërbimin tuaj social, ata nuk do të korruptohen sepse s’ka shanse për të patur rryshfete. Por nëse sjellim disa njerëzit tuaj në Shqiperi ka shumë shanse të korruptohen”, u shpreh Rama.

Top Channel