Vlorë, 8 zyrtarë nën akuzë

03/09/2013 00:00

Prokuroria e Vlorës ka dërguar për gjykim 8 zyrtarë me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera publikë.

Bëhet fjalë për 8 anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë e Orikumit të cilët sipas prokurorisë, kanë abuzuar në përcaktimin subjekteve fituese në tendera për punime apo shërbime në bashkinë e këtij qyteti.

Gjithnjë sipas hetimeve të prokurorisë, të akuzuarit janë gjetur me shkelje në të paktën dy raste në prokurorime me vlerë prej 22.5 mln lekë të rinj. Shkelja më e rëndë është gjetur në procedurën e prokurorimit me objekt rehabilitimin e lagjes 4 në Orikum me fond 20 mln lekë të rinj.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit ka rezultuar se në konkurim kanë marrë pjesë dy subjekte që nuk plotësonin kushtet tekniko-ligjore. Gjithashtu nga po të njëjtët anëtarë, janë faktuar shkelje në procedurën e prokurimit publik për blerjen e një autoveture me vlerë 2.5 mln lekë të rinj.

Në përfundim të hetimit është gjetur se në këtë procedurë kanë marrë pjesë dy kompani dhe është shpallur fituese njëra prej tyre, pavarësisht faktit që asnjëra prej këtyre kompanive nuk plotësonte kriteret ligjore për pjesëmarrje në tender.

Top Channel