Kolegji Zgjedhor pranoi kërkesën e Partisë Socialiste dhe ka bërë ndarjen e mandateve të deputetëve për të 12 qarqet e vendit.

Ndaj kësaj vendimmarrjeje reagoi përfaqësuesi ligjor i PD, Ivi Kaso, i cili denoncoi atë që e quajti “presion ilegal” të PS ndaj Kolegjit Zgjedhor.

“Ndjeva keqardhje për faktin se Kolegji, i ndodhur përpara presionit të paligjshëm të PS, me një objekt të paligjshëm të paraqitur jo në kohën e duhur, zgjodhi të dorëzohej përpara këtij presioni të paligjshëm”, deklaroi Kaso.

Ai u shpreh se Kolegji kishte marrë dy vendime anti-kushtetuese dhe kishte shkelur autoritetin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, nën presionin e mazhorancës së re.

“Ne shprehëm pretendimet tona se një proçedim i tillë është një vendimmarrje e anti-kushtetuese për faktin se reduktohen kompetencat e Kolegjit për të vepruar sipas ligjit. Sot u vu re një uzurpim i kompetencave të Kolegjit nga PS dhe me këto vendime Kolegji i dha goditjen e fundit KQZ-së”, shtoi Kaso.

Ndërkohë, nuk ka munguar edhe reagimi i përfaqësuesit ligjor të PS, Koli Bele, i cili i cilësoi absurde pretendimet e PD për presion politik ndaj Kolegjit.

“Pretendimet e PD për presion politik janë antiligjore. Kolegji po përfundon procesin sipas ligjit. PD nuk pranon dot humbjen e thellë. Sot u nda ajo që zgjedhësit votuan në zgjedhjet e fundit”, deklaroi Bele.

Pas ndarjes së mandateve nga Kolegji Zgjedhor, Aleanca për Shipërinë Europiane zyrtarizon 83 mandatatet e saj, ndërsa Aleanca për Punësim, Mirëqënie dhe Integrim do përfaqësohet në Parlamentin e ardhshëm me 57 deputetë.

Top Channel