“TIA”: Korrupsioni është rritur

09/07/2013 00:00

Pjesa më e madhe e të anketuarve nga ‘Transparency International
Albania’ mendojnë se korrupsioni në Shqipëri është rritur dy vitet e
fundit. Sipas këtij anketimi 66 për qind e të pyeturve e nxjerrin
Shqipërinë si një nga vendet me progresin më të vogël në luftën ndaj
korrupsionit.

Të anketuarit në vend bëjnë pjesë në barometrin global të korrupsionit të organizuar nga ‘Transparency Internacional’ dhe ‘Gallup International’. Nga rezultatet e publikuara në këtë raport qytetarët kanë cilësuar si sektorët më të korruptuar gjyqësorin dhe mjekësinë, të ndjekura nga partitë politike, sistemi arsimor Parlamenti dhe policia.

“Të pyetur se si kanë ndryshuar niveli i korrupsionit në dy vitet e fundit në Shqipëri 66 për qind e shqiptarëve mendojnë se është rritur, 25 për qind mendojnë se ka qenë i pandryshuar dhe 9 për qind e tyre mendojnë se ka pësuar rënie. Ky nivel perceptimi, i njëjtë edhe për Kosovën i rendit 2 shtetet shqiptare në fund të klasifikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor. Në një shkallë nga 1 në 5, ku 1 përkthehet në rezultatin ‘aspak të korruptuar’ dhe 5 ‘shumë të korruptuar’, institucionet më të korruptuara në Shqipëri perceptohen të jenë gjyqësori dhe sistemi shëndetësor në një nivel prej 4.3 pikësh, të ndjekura nga Partitë politike, sistemi arsimor, Parlamenti, policia. Në Shqipëri 58 për qind e të anketuarve mendojnë se veprimet e Qeverisë në luftën kundër korrupsionit kanë qenë joefektive në dy vitet e fundit. 30 për qind të tyre shprehen që këto veprime nuk kanë qenë as efektive dhe jo as efektive dhe vetëm 12 për qind mendojnë se kanë qenë veprime efektive”, tha Inesa Hila, koordinatore e “TIA”.

74 për qind e të anketuarve janë shprehur se u është kërkuar të japin rryshfet për të marrë shërbime në zyrat e shtetit. Në bazë të këtij raporti vlerësimet e njerëzve mbi përpjekjet e liderëve për të ndaluar korrupsionin janë më keq se përpara fillimit të krizës financiare të vitit 2008. Në konkluzionet e këtij anketimi, drejtoreshë e bordit të ‘TI’ shkruan se qeveritë duhet ta konsiderojnë në mënyrë serioze këtë thirrje të qytetarëve kundër korrupsionit dhe të përgjigjen me veprime konkrete për rritjen e niveleve të transparenncës dhe të përgjegjegjshmërisë.

Top Channel