Ngërçi me KQZ-në, Moore në Tiranë

24/05/2013 20:55

Ngërçi që vijon me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve pas shkarkimit të Ilirian Muhos nga Parlamenti, pasuar nga dorëheqja e tre anëtarëve të tjerë, sjell fillimjavën e ardhshme në Tiranë drejtorin për Europën Qëndrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore.

Vizitën e zotit Moore e njoftoi Zëri i Amerikës mbërëmjen e së premtes. Krahas çështjeve të tjera me interes për SHBA, kryesorja në axhendën e Moore pritet të jetë KQZ-ja.

Gjatë vizitës së fundit në Tiranë muajin e shkuar Moore, në një konferencë shtypi në ambasadën amerikane deklaroi se: “Ka argumenta ligjorë që vënë në pikëpyetje votimin e Parlamentit për zëvendësimin e një anëtari të KQZ-së. Shtetet e Bashkuara duan të shohin KQZ-në të funksionojë”.

Shtetet e Bashkuara nëpërmjet ambasadorit Alexander Arvizu kanë përsëritur disa herë shqetësimin e tyre lidhur me gjendjen e krijuaj në KQZ e pasojat që krijon kjo situatë mbi proçesin zgjedhor.

Opozita nga ana e saj ka kërkuar një riformatim të KQZ-së, ndërsa maxhoranca e ka hedhur poshtë një gjë të tillë, duke akuzuar opozitën se me lënien bosh të vendeve në KQZ kërkon të njollosë proçesin.

Ndërsa kryeministri Sali Berisha është shprehur gjatë fushatës zgjedhore se është gati të mbledhë Parlamentin në çdo moment për të votuar kandidaturat e opozitës për në KQZ.

Top Channel