Burreli dhe Bulqiza ishin ndalesat e radhës për kryesocialistin Edi
Rama, i cili ka prezantuar programin për një Rilindje Shqiptare.

Industria dhe minierat ishin dy prej çështjeve kryesore që u diskutuan në këto takime nga një panel me deputetë dhe ekspertë të PS. Kryesocialisti Rama premtoi se pas 23 qershorit nuk do të lejohet më që pasuritë e këtyre zonave, por dhe të gjithë Shqipërisë të vidhen, të keqpërdoren për interesa personale të atyre që pasurohen në kurriz të qytetarëve.

“Ne kemi problemin sesi do të punësojmë njerëzit këtu, jo si skllevër po si qytetarët të lirë. Ne kemi problemin sesi do të ndalim vdekjet e minatorëve. Ne kemi problemin si do t’i vijmë në ndihmë familjeve të minatorëve të ndarë nga jeta. Ne kemi problemin sesi do të rriten jetimët e minatorëve dhe sesi të mos ketë më jetimë në familjet e minatorëve. Ne kemi dalë për të pushuar nga puna Saliun dhe për të punësuar 300 mijë shqiptarë në mandatin e parë. Ju me votën tuaj t’i jepni Bulqizës një mbrojtës, t’i jepni Bulqizës një garant, ti jepni Bulqizës një mbështetës dhe ky mbrojtës, ku garant, ku mbështetës do të jetë qeveria e rilindjes që do dali me votën e shqiptarëve”, tha Rama.

Rama premtoi se Qeveria socialiste do të jetë në krah të qytetarëve që e duan këtë vend dhe kanë dëshirë të punojnë.

“Do të jem mbrojtësi dhe mbështetësi më i flaktë i çdo shqiptari që do të mundohet të krijojë mirëqenien e familjes duke punuar tokën e tij në fshat. Ashtu do të jem mbrojtësi më i flaktë i çdo minatori që do të futet 1 mijë metra nën dhè për të nxjerrë bukën e shtëpisë së vetë. Ne do t’i mirëpresim investitorët e huaj. Por investitorët e huaja këtu në Bulqizë dhe kudo në Shqipëri nuk do të kenë më përballë skllevër të pafuqishëm që i torturojnë duke i prerë rrogën dhe duke i kërcënuar. Por do të kenë përballë shtetin shqiptar që do të mbrojë interesat e secilit prej jush. E çdo shqiptari që do të punësohet në një investim të huaj duke mbrojtur kontratën e nënshkruar me shtetin shqiptar”, theksoi Rama.

Top Channel