Nisi mbrëmjen e të shtunës plot emocione, surpriza dhe mister edicioni i
gjashtë i ‘Big Brother’, aventura 100-ditore që mbledh brenda një shtëpie
njerëz të panjohur, të cilët do të jenë nën vëzhgim 24 orë në 24.
Në shtëpi aktualisht ndodhen 16 konkurrentë, secili prej tyre me një sekret ose mision të veçantë dhe qëllimi i secilit gjatë qëndrimit në shtëpi është që ta ruajë sekretin e tij sa më gjatë.
Po cilët janë personazhet e këtij reality show?
Banori i parë që hyri në shtëpinë më të famshme në Shqipëri ishte Iliri, një 27-vjeçar, i cili jeton prej 9 vitesh në Firence, ku pret të diplomohet për arkitekturë. Bashkë me të pragun e shtëpisë e shkeli në të njëjtën kohë edhe Joana, 26-vjeçarja nga Tirana e diplomuar për farmaci, e cila ka ëndërr të ketë një farmaci të sajën.
Konkurrentja e tretë që hyri në shtëpi ishte Elona, e cila vjen enkas nga Parisi për t’u bërë pjesë e kësaj eksperience të jashtëzakonshme. Ajo është stiliste dhe ka punuar për shtëpi shumë të njohura të modës në Paris.
Blendi, një tjetër banor iu bashkua shtëpisë më pas. Ky konkurrent ka një mision të veçantë…në fakt bashkë me vëllanë e tij binjak identik Andi, kanë një mision të veçante…gjatë qëndrimit të tyrë në shtëpi ata do të jenë një person i vetëm. Pra për banorët do të jetë vetëm një konkurrent, por për publikun në fakt janë dy. Ata do të vishen dhe do të sillen njësoj…le të shohim si do të shkojë!
Olseni, nga Elbasani, por që prej vitesh jeton në Athinë u fut në shtëpi. Ai prezantohet si një djalë energjik, me shumë fantazi dhe ide, sidomos për të bërë biznes. Ky personazh i këtij ‘reality show’ futet jo me një sekret, por me një mision në BB6. Para banorëve tatuazhin, që ia ka dedikuar mamasë së tij, do ta paraqesë si tatuazhin dedikuar të dashurës.
Banorja tjetër është Etleva, e cila vjen nga Miloti dhe prej kohësh është transferuar në Tiranë, ku ndjek studimet për sociologji. Arma e saj më e fortë është fjala dhe komunikimi, ndaj beson se kjo do ta ndihmojë shumë gjatë qëndrimit të saj në shtëpi.
Arsimi, djali nga Prizreni, i cili punon në një organizatë humanitare, në kohën e lirë i përkushtohet pasionit të tij, fotografisë. Ai ka një studio, ku ka realizuar me dhjetëra sete fotografike. Në fund të mbrëmjes, vëllai i dha një mision Arsimit, i cili do të ketë në dorë fatin e një prej banorëve të shtëpisë. Arsimi do të zgjedhë njërin prej tyre për ta çuar në nominim të përhershëm, pra deri në fund të qëndrimit të tij në ‘Big Brother’.
Altina vjen nga Gjakova dhe është diplomuar për aktrim në Akademinë e Arteve në Prishtinë. Ka vendosur të vijë në ‘Big Brother’ pasi mendon se një aktore do të ndihej si në shtëpinë e saj këtu.
Banori që u fut në shtëpi më pas ishte Marselino, 25 vjec nga Berati, por prej vitesh jeton në Bari. Ai është bërë baba prej një viti dhe nga ky moment jeta e tij është e ndarë mes Tiranës dhe Barit. Në të njëjtën kohë me Marselinon u fut edhe Eldora, 27-vjeçarja që jeton në Tiranë, ka studiuar për gjermanisht, por ndërkohë ndjek studimet e dyta në degën e Infermierisë, e njëkohësisht punon në një agjenci udhëtimi.
Banori tjetër, që është edhe me moshën më të madhe në këtë show është Xhimi 44 vjeç, i cili e ka kaluar jetën duke shëtitur e jetuar në qytetet të ndryshme të Europës, pasi gjithnjë ka dashur të jetë një shpirt i lirë. Ndërsa banorja me moshën më të re në shtëpi është Elena, 18-vjeçarja nga Tirana, e cila është modele e suksesshme. Eshtë familjarizuar me kamerat dhe dëshiron të jetë në qendër të vëmendjes. Por ka një ves, shihet pa pushim në pasqyrë!!!
Anaidi, 27-vjeçari nga Tirana ka studiuar për gazetari, profesion të cilin pret ende ta ushtrojë. Kryesisht është marrë me biznese private, ndërsa thotë se jeta e tij ka qenë një aventurë, ku asnjë ditë nuk i ngjante tjetrës.
Banorja që hyri thuajse në fund në shtëpi ishte Olta, 25 vjeç nga Burreli, por që prej 15 vjetësh jeton në Londër, ku sapo ka përfunduar shkollën e lartë për biznes-ekonomi.
Një konkurrent vjen nga Prishtina dhe ai është Shpendi, 30-vjeçar, baba i një vajze 15 muajsh. Puna e tij lidhet me një aktivitet privat.Bashkë me të hyri edhe Jonilda, e cila vjen nga Parma ku punon si laborante dentare për të qenë pjesë e këtij show.
Cilat janë sekretet e banorëve tanë?
1.Jam talasemik
2.Ushtroj Taekwondo
3.Nuk flas me babanë prej 13 muajsh
4.Jam i martuar
5.Do të bëj një ndërhyrje estetike gjatë qëndrimit në ‘Big Brother’
6.Di 100 tekste kengesh përmendësh
7.Në moshën 4-vjeçare kam pirë duhan për arsye shëndetësore
8.Kam punuar si zhigolo
9. Jam fans i Real Madrid
10.Prej 11 vjetësh kujdesem për një person me nevoja specifike
11.Kam 100 palë këpucë
12. Kanuni ka prishur lidhjen time
13. Jam vegjetarian
Ashtu sikurse dihej, edhe këtë edicion e moderon Arbana Osmani, e cila veç shkathtësisë, elokuencës dhe zhdërvjellësisë për të përcjellë në mënyrë të shkëlqyeshme çdo situatë, në spektaklin e parë u shfaq jashtëzakonisht elegante me një fustan të krijuar enkas për të, nga stilistja nga Kosova Krenare Rugova. Opinionist i këtij show është Arjan Konomi.
Top Channel