Si të njohim depresionin

14/01/2013 17:40

Stresi, problemet ekonomike dhe ato sociale janë faktorë që ndikojnë negativisht në shendetin mendor të njeriut, duke i shkaktuar çrregullime të ndryshme.

Në ditët e sotme, sëmundjet depresive bëjnë pjesë në grupin e tablove klinike më të rënda dhe më të vështira në mbarë botën.

Sipas Organizatës Botërore të shëndetësisë, rreth 5% e popullsisë vuan nga depresioni.

Shifrat flasin për një shtim të numrit të personave depresiv edhe në vendin tonë. Megjithëse mungojnë studime dhe shifra zyrtare të institucioneve tonë, në një raport të OBSH-së në vitin 2008 thuhet se pas analizës së një kampioni prej 500 personash mbi 18 vjeç,  në 10 rrethe të vendit, rezultoi se 33% e tyre vuanin nga forma të ndryshme të problemeve të shëndetit mendor.

Një tregues tjetër është edhe indeski i njerëzve të prekur nga kjo sëmundje që në vitin 1987 ishte 2.3 për 100 mijë banorë, ndërsa në vitin 2003 ka arritur në 4 persona për 100 mijë banorë.

Depresioni nuk është një semundje e re, që në kohën e Hipokratit ajo njihej me emrin malinkonia. Mjeku psikiatër, Gëzim Myftari, tregon se me kalimin e viteve ka ndryshuar edhe koncepti rreth depresionit.

“Evolimi i konceptit të depresionit, ndër shekuj, ka qenë i ndryshëm, por thelbi ka mbetur i njëjtë në të gjitha format, duke kulmuar me atë moment që ne e quajmë vetvrasje. Pra, frika e depresionit është e barabartë me frikën nga vetvrasja”, shpjegoi doktor Myftari.

Faktorët që ndikojnë në shfaqjen e depresionit mund të jenë gjenetik dhe ambiental. Megjithatë e rëndësishme është që një person që vuan nga kjo sëmundje të diagnostikohet në kohë.

Edhe pse depresioni është një sëmundje që mund të qëndrojë e fshehur, janë disa simptoma paralajmëruese.

“Personat e prekur humbasin interesin për veten e tyre dhe mjedisin rrethues. Humbasin kontaktet me pjesën tjetër të shoqërisë dhe familjen. Fillojnë, që është simptoma tipike e depresionit, që të mbyllen në vetvete. Nuk shfaqin interes as për jetën kulturore, as për jetën sportive, as për jetën familiare, as për të ardhmen e tyre”, shtoi psikiatri.

Profesor Myfatri tregon se një element shumë i rëndësishëm në trajtimin e sëmundjeve depresive është koha kur ato mund të shfaqen.

“Depresioni mund të manifestohet që në moshat parashkollore apo adoleshencë. Me kalimin e viteve, numri i të prekurve rritet në mënyrë të ndjeshme. Kjo do të thotë se në periudhën e adoleshencës, deri në 15% të persona kalojnë forma të ndryshme depresioni”, deklaroi Myftari.

Specialistët thonë se pas adoleshncës mundësia për t’u prekur nga depresioni është akoma më e lartë. Më të rrezikuarat janë femrat që mund të preken deri në 45% e tyre ndërsa meshkujt 27%.

Hapi parë drejt shërimit të depresionit është konsulta me mjekun specialist. Ndërkohë terapitë që vijnë më mbrapa shtojnë shanset për një shërim të plotë të kësaj sëmundjeje.

Top Channel