Kosova i përgjigjet Serbisë

14/01/2013 18:40

Qeveria e Kosovës i kundërpërgjigjet zyrtarisht rezolutës së institucioneve të Serbisë nëpërmjet një deklarate në të cilën shprehen interesat e institucioneve kosovare për të ruajtur integritetin territorial të shtetit.

Në këtë deklaratë ekzekutivi kosovar nënvizon se, propozimi i Serbisë që komunat me shumicë serbe të marrin Statusin e Komunave Autonome, është i papranueshëm dhe as që do të shtrohet për diskutim.

Epilogu i gjithë proçesit duhet të përfundojë me arritjen e një marrëveshjeje të detyrueshme ndërkombëtarisht për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Kjo deklaratë u lëshua pas një takimi me dyer të mbyllura që kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi zhvilloi me përfaqësues të gjithë spektrit politik, me përjashtim të lëvizjes Vetëvendosje. Nëpërmjet një komunikate qeveria e Kosovës bëri publike temat dhe kërkesat e saj në këtë proçes:

1. Fuqizimin e strukturave në Veri të Kosovës në fushën e arsimit, shëndetësisë, çështjeve sociale, të strukturave të qytetarëve të veriut në pajtim me propozimin e presidentit Ahtisaari, me Kushtetutën e Kosovës dhe me ligjet në fuqi.

2. Largimin e strukturave të sigurisë së Serbisë nga veriu i Kosovës.

3. Krijimin e rrethanave për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në komunat e veriut të Kosovës dhe për pjesëmarrjen e qytetarëve të kësaj pjese në zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës.

4. Krijimin e komunës së re të Mitrovicës Veriore.

5. Krijimin e rrethanave për organizimin e regjistrimit të popullsisë dhe të pronës në këtë pjesë të Kosovës.

6. Trajtimin adekuat ekonomik dhe zhvillimor të veriut të Kosovës, i cili midis tjerash do të nënkuptojë themelimin e fondit për zhvillimin e kësaj zone.

7. Arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtarisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, e cila do të garantohej nga BE, SHBA dhe shtetet e Kuintit.

Duke e kuptuar Serbinë, e cila nuk do të mund ta njohë pavarësinë, qeveria e Kosovës kërkon nga faktori ndërkombëtar që të sigurojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe në Bashkimin Europian, pa u penguar nga Serbia.

Kryeministri po kështu njoftoi përfaqësuesit e partive politike për temat të cilat do të diskutohen në takimin e radhës me kryeministrin e Serbisë më 17 janar.

Mes tyre spikasin zhbërja apo largimi i strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë nga Kosova, krijimi i mekanizmit, i cili mundëson që ndihmat financiare të Serbisë për  komunitetin serb që jeton në Kosovë të bëhen në mënyrë transparente dhe të menaxhohen nga qeveria e Kosovës, përfaqësuesit e komunitetit serb dhe ata ndërkombëtarë.

Gjithashtu, në takim do të flitet edhe për veprimet konkrete që do të ndërmarrë qeveria e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit.

Në aspektin politik, qeveria e Kosovës është e gatshme që të mundësojë zbatimin në praktikë të elementeve të dispozitave të propozimit të Ahtisaarit për vetëqeverisje në nivelin lokal të komunave me shumicë serbe në veri të vendit.

Këto dispozita ndër të tjera mundësojnë edhe krijimin e partneritetit ndërmjet komunave, duke iu mundësuar atyre që të kenë vendimmarrjen në nivelin lokal, në asambletë komunale, që do të jenë legjitime.

Kjo është e gjitha që do t’iu ofrohet serbëve në veri të vendit dhe asgjë më shumë, thuhet në komunikatë në krye të së cilës theksohet se qeveria respekton Kushtetutën e Kosovës dhe pakon e Ahtisarit, si dhe në asnjë mënyrë nuk do të shtrojë në disuktim pavarësinë, tërësinë territoriale dhe organizimin e brendshëm.

Në aspektin ekonomik, qeveria paralajmëron krijimin e Fondit Zhvillimor për Veriun, i cili do të financojë projekte infrastrkturore. Fondi do të jetë i hapur për donatorët ndërkombëtarë dhe për Serbinë.

Ky fond do të menaxhohet nga bordi i përbërë nga ministriat e qeverisë së Kosovës, një përfaqësues i përzgjedhur nga komuniteti serb që jeton në veri dhe përfaqësuesi i lartë i BE-së në Kosovë.

Top Channel