Adriatik Llalla ka kaluar votimin e parë si kandidat për Prokurorin e
Përgjithshëm, duke marrë votat e mazhorancës në Komisionin Parlamentar
të Ligjeve, ku u thirr për seancë dëgjimore.

Në prag te marrjes se detyres si drejtuesi me i larte i institucionit të akuzës, Adriatik Llalla shpalli si objektiv të punës së tij luftën kundër korrupsionit mes prokurorëve, për të cilët tha se ishte në dijeni dhe njohës i tyre, duke qenë se vjen nga rradhët e prokurorëve.

“Për një kohë të gjatë unë kam qenë pjesë e trupës së prokurorëve dhe jam në dijeni të rasteve dhe situatave, ku disa prokurorë në vend që të punojnë për të luftuar krimin dhe korrupsionin, bëhen palë me të duke luajtur më tepër rolin e avokatit se sa të prokurorit gjatë hetimit të cështjes. Por ju garantoj se këta janë pak, madje shumë pak dhe të njohur nga trupa e prokurorëve dhe qytetarëve, dhe pse është krijuar perceptimi se këta përbëjnë shumicën e trupës së prokurorëve”, u shpreh Llalla.

Per ate qe konsiderohet si sfida me e madhe e ketij organi, pavaresine e Prokurorise, Llalla ka nje tjeter mendim.’Pavaresine duhet ta fitojme vete – tha ai,- dhe kjo eshte e mundshme vetem per ata qe nuk jane implikuar me krimin dhe korrupsionin”.

“Ne nuk do të presim që pavarësinë të na e japin ata, ndaj të cilëve ne duhet të jemi të pavarur dhe këtë pavarësi duhet ta fitojmë vetë me punën tonë. Nëse prokurori nuk ka bërë pakt me krimin, nëse prokurori merr vendime dhe të bazuara në ligj, atëherë ai është i pavarur nga krimi është i pavarur nga politika, është i lirë të marrë cdo vendim që i dikton ligji dhe bindja e tij e brendshme”, theksoi Llalla.

Opozita nuk pati objeksione per kandidataturen e perzgjedhur nga Presidenti i Republikes, por rishpjegoi voten abstenuese.

“Ne e konsiderojmë dekretin e Presidentit të Republikës antikushtetues, kjo dhe pa pasur objeksione lidhur me kandidaturën e zotit Llalla, ndaj për këtë shkak, pra pse procedurialisht dekreti i Presidentit është antikushtetues, pse nuk duhet të vinte në këtë kohë, por në kohën kur i takon ne abstenojmë në këtë votim”, tha deputeti socialist Sajmir Tahiri.

Llalla pritet te shkoje per votim ne Kuvend, ku Prokurori i Përgjithshem zgjidhet me shumice te thjeshte votash.

Top Channel