KE: Prokurori sipas Kushtetutës

04/12/2012 00:00

Komisioni Europian ka ndjekur dhe vijon të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri në lidhje me fushën e Shtetit të së Drejtës, veçanërisht debatet dhe zhvillimet në lidhje me afatin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm.

“Ne i kushtojmë një rëndësi të veçantë Shtetit të së Drejtës dhe prandaj kemi ndjekur nga shumë pranë zhvillimet mbi afatin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm. Prokuroria e Përgjithshme është një institucion i pavarur dhe si e tillë luan një rol thelbësor në adresimin e sfidave të Shtetit të së Drejtës. Dhe siç e dini kjo fushë është shumë e rëndësishme për vendet në procesin e integrimit dhe një prej fushave që e ndjekim nga shumë pranë”, thotë zëdhënësi i KE-së, Peter Stano.

Pas emërimit të prokurorit të ri të përgjithshëm nga Presidenti Bujar Nishani Komisioni Europian pret që procedurat e votimit në Parlament të zhvillohen në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit.

“Mbajtëm shënim vendimin e Presidentit për të emëruar prokurorin e ri të përgjithshëm dhe ne presim që procedurat pasuese parlamentare për emërimin e prokurorit të përgjithshëm të zhvillohen në përputhje të plotë me dispozitat e aplikueshme të Kushtetutës”, deklaroi zyrtari KE-së.

Presidenti përzgjodhi kandidaturën e Adriatik Llallës si prokuror i ri i përgjithshëm, dekret që pritet t’i kalojë për votim Kuvendit, ku pozita dhe opozita kanë qëndrime të kundërta në lidhje me kushtetuetshmërinë e shkarkimit të kryeprokurores aktuale, Ina Ramës.

Top Channel