Rama: Berishës s’i intereson integrimi

20/11/2012 00:00

Dështimin e realizimit të një tryeze me të gjitha partitë parlamentare me synim daljen nga ngërçi politik, Edi Rama ja ka faturuar kryeministrit Berisha.

Sipas kryesocialistit, integrimi nuk është pjesë e axhendës së Sali Berishës, por vetëm mbajtja e pushtetit që i ngjason një varke të mbytur dhe që duhet shpëtuar me çdo çmim. Dhe çmimi, tha Rama, është spiralja e frikshme e borxheve ku kjo qeveri i ka futur shqiptarët.

“Atij i intereson vetëm pushteti, jo integrimi. Fatkeqësisht nuk ka asnjë lidhje me Europën, as në vizion, as në projektin qeverisës dhe madje as në shije. Vizioni i tyre qeverisës është mbajtja e sundimit mbi shqiptarët me çdo mjet, duke e shkelur ligjin në çdo hap. Këtë nuk mund ta lejojmë. As BE nuk mund të na integrojë me këtë nivel qeverisjeje”, tha Rama.

Edi Rama komentoi edhe qëndrimin kundërshtues të Holandës duke u shprehur se janë edhe vende të tjera në BE-që kërkojnë reforma konkrete nga qeveria.

“Edhe prononcimi i qeverisë holandeze, që nuk është e vetmja, thotë qartë për këdo që ka veshë të dëgjojë se ku qëndron problemi, përse këto tre ligje janë njësoj si ai i imunitetit. Sepse kryeministri thoshte ‘imuniteti, imuniteti, e fundit gjë që ka mbetur’. Por gjëja e fundit që ka mbetur është largimi i kryeministrit dhe qeverisë së tij që ka okupuar pushtetin”, shtoi Rama.

Top Channel