Dhuna mes adoleshentëve

27/09/2012 00:00

Dhuna mes adoleshentëve, jo pak herë ka përfunduar me plagosje apo
vrasje. Rasti më i fundit është shënuar në gjimnazin ‘Luigj Gurakuqi’ në
Elbasan, ku një 16-vjeçar është goditur me thikë, jashtë ambienteve të
shkollës, nga një bashkëmoshatar i tij, pas një sherri të nisur në
mjediset e shkollës. Sherri mes te rinjve, nxenes në vitin e pare ka
nisur brenda ambienteve të shkollës, me ofendime dhe sharje që më pas
kanë përfunduar me grushte e deri me thike.

Dhuna psikologjike dhe ajo fizike është një fenomen që ekziston nëpër të gjitha shkollat, ndaj psikologët mendojnë se familja është struktura përgjegjëse për dhunën që shfaqin fëmijët apo adoleshentës në shkollë.

Vitet e fundit, prinderit kane fare pak kohe për t’u marrë me fëmijet,ndaj mungesa e vemendjes, por edhe modeli i edukimit që ata shohin në shtëpi pasqyrohet direkt në shkollë dhe në shoqërinë e tyre.

“Elementët të dhunshëm të sjelljes janë më të dukshëm tek individët dhe tek fëmijët, tek të cilët kujdesi familjar dhe kujdesi prindëror ka munguar ose ka qenë miminal. Eshtë momenti i duhur për t’i thënë prindërve që nuk duhet të mjaftohen me pak minuta me fëmijën dhe nuk duhet të mjaftohen me tryezën plot dhe me dollapin e rrobave plot. Duhet të fillojnë të kujdesen për mendjen dhe për emocionet e fëmijës, dhe kjo gjë nuk bëhet kur fëmija rritet, ose kur fëmija e shfaq problemin. Grupmoshat që janë pak më të rritura kalojnë edhe deri në dhunë fizike, duke treguar se janë akoma në kërkim të identitetit”, thonë psikologët.

Problemet ekonomike, puna me orare te gjata, ka bërë që prindërit të kalojnë fare pak kohe, ose aspak me fëmijet e tyre, duke ua mbushur këtë boshllëk me plotësimin e kërkesave të tyre materiale.

“Meqenëse se shkolla është një pasqyrim i komunitetit, ashtu sikundër i kemi edhe komunitetet, ashtu sikurse janë edhe zonat, ajo formë dhune është edhe më shumë e shprehur. Në disa zona kemi më shumë të shprehur dhunën fizike, ndërkohë që dhuna psikologjike është më shumë prezente në disa zona të tjera. Rritja e shkallës së komunikimit, rritja e empatisë midis të gjithë faktorëve që punojnë në një shkollë, përfshirë mësuesit, psikologët dhe më e rëndësishmja që është midis nxënësve, ndikon shumë në uljen e dhunës, qoftë edhe në format më të thjeshta në ato orët edukative, apo në ato pushimet e vogla që krijohen midis orëve”, thonë psikologët.

Ekspertët mendojnë se nxënësit e klasave fillore duhet të qëndrojnë në ndërtesa të veçanta, pasi adoleshenca nis ne moshen 11 deri ne 12 vjeç, dhe menaxhimi i tyre është shumë i vështire

Top Channel