Studentët e rinj, më 1 tetor lista përfundimtare

18/09/2012 00:00

Më 8 tetor, plot 27 mijë studentë do të nisin vitin e ri akademik në të gjithë vendin. Ministri i Arsimit, tha se sapo është publikuar lista me të rinjtë fitues, të cilët duhet të nisin të kryejnë regjistrimin online, sipas preferencave të tyre në fakultetet fitues. Kjo formë e re do të shmangë të gjitha burokracitë në sekretaritë e fakulteteve.

“Numri i kuotave natyrisht është më i madh, është 10 përqind më shuëm sesa vitin e kaluar. Këtë vit, studentët e rinj nuk do të kenë nevojë të shkojnë në sekretarinë e universitetit përpara se të fillojë mësimi. Pra do të paraqiten më datën 8 tetor, kur fillon viti i ri akademik dhe në ditët e para të vitit të ri do të dorëzojnë një fotokopje të kartës së identiteti, një fotografi për të marrë kartën e studentit, dhe mandatin e pagesës për tarifën e regjistrimit”, tha Ministri i Arsimit, zoti Tafaj.

Lista e plotë e fituesve sipas preferencave do të dalë në 1 tetor, kur pritet të ketë përfunduar edhe regjistrimi online në preferencat e tyre të kërkuara.

“Më 1 tetor, nëse jam i saktë me datën, shpallet lista përfundimtare e fituesve dhe më datën 8 tetor paraqiten në fakultetet ku kanë fituar”, sqaroi ministri.

Nëse ndonjë student ka probleme me të dhënat e tij personale ai ka mundësi të regjstrohet në sekretaritë e fakulteteve. Këtë vit është rritur me 10 % numri i studentëve fitues.

Top Channel