Mëhilli: Rama të firmosë referendumin

26/08/2012 00:00

Pas konferencës për shtyp të kryetarit të opozitës, ka ardhur reagimi i zëdhënëses së kryeministrit. Erla Mëhilli deklaroi se nuk do të pranohet asnjë kushtëzim me ndryshimin e Kushtetutës për çështjen e heqjes së imuniteteve.

“I tmerruar nga referendumi popullor për heqjen e imunitetit, Edi Rama bëri përpjekjen e radhës për të mashtruar shqiptarët mbi pasojat e aktit të papërgjegjshëm të bllokimit të heqjes së imunitetit dhe marrjes së statusit të vendit kandidat. Ai deklaroi se nuk është kundër heqjes së imunitetit, por nuk e voton atë sepse sipas tij heqja e imunitetit nuk ka lidhje me luftën kundër korrupsionit, madje deklaroi se referendumi popullor është një lojë pa top e Sali Berishës”, deklaroi Mëhilli. 

“Theksoj se kushtëzimi që i bën zoti Rama votimit të heqjes së imunitetit me instalimin e Kushtetutës së sundimit të pakicës, është ëndrra e tij që nuk do të realizohet dot kurrë. Zgjidhja e vetme është referendumi popullor”, vijoi zëdhënësja e qeverisë. 

Dy ditë më parë, maxhoranca avancoi përpjekjet për mbajtjen e një referendumi popullor për këtë çështje. Kreu i mazhorancës, Sali Berisha tha në një konferencë për shtyp se kërkesa bazohej në nenin 155 të Kushtetutës dhe anashkaloi komentet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, kërkohet votimi në Kuvend për këtë çështje.

Top Channel