Aksident në Peqin, tetë të plagosur

05/08/2012 14:20

Tetë persona mbetën të plagosur mesditën e së dielës në një aksident që përfshiu disa makina në afërsi të qytetit të Peqinit.

Sipas të dhënave paraprake, komunikuar nga burime zyrtare, një makinë me targa italiane e drejtuar nga shtetasi E. Çullhaj, u përplas me mjetin e kryetarit të komunës Mollas, A. Hysaj, në vendin e njohur si kryqëzimi i Gjocajt.

Secili prej të dy shtetasve ishte duke udhëtuar në momentin e aksidentit me familjen e tij.

Ndërkohë, në përpjekje për të manovruar, për të shmangur makinat e aksidentuara, një mjet i tipit “Renault”, u përplas me një kamionçinë, e drejtuar nga S. Greta, nga Lushnja.

Shërbimet e urgjencës mbërritën brenda pak minutash në vendngjarje dhe dërguan pesë të aksidentuar në spitalin e Elbasanit dhe tre të tjerë në atë të Peqinit.

Aktualisht, nuk ka informacione të mëtejshme mbi shkallën e dëmtimeve të të plagosurve.

Top Channel