Sequi: Dialogu, themeli i vlerave të BE

31/07/2012 17:50

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi ka promovuar pasditen e së martës një tur kulturor që do të zhvillohet në mbarë vendin, me qëllim promovimin e vlerave evropiane.

Në një konferencë për shtyp, Sequi, ndonëse nuk i është referuar në mënyrë direkte palëve politike, ka deklaruar se dialogu përbën themelin e vlerave evropiane.

“Dialogu është vlera kryesore e Bashkimit Evropian. Edhe harmonia nuk bën përjashtim nga këto vlera. Nëpërmjet këtij turi koncertesh ne dëshirojmë të promovojmë idenë që ju t’i afroheni Evropës”, ka deklaruar Sequi.

Më herët gjatë muajit, ambasadori i BE-së i bëri një rezyme asaj çfarë është arritur se çfarë ka mbetur për t’u realizuar në përmbushjen e 12 prioriteve për integrimin.

Ai u shpreh se, Shqipëria ndodhet në një situatë politike krejt ndryshe nga ajo e nëntorit, por kërkoi që palët t’i përmbaheshin marrëveshjes së vitit të shkuar.

Duke u ndalur në 4 prioritetet e para, ato politike, Sequi vlerësoi përmbylljen e reformës zgjedhore, por kërkoi që ajo të zbatohet dhe mos të mbetet një ligj vetëm në letër.

Ndërsa në një intervistë të dhënë para pak kohësh për Top Channel, Sequi tha se heqja e imuniteteve është vetëm njëra anë e medaljes, ndërsa ana tjetër sipas tij është të luftuarit e kulturës së korrupsionit.

“Heqja e imuniteteve është një hap i rëndësishëm, por qartësisht nuk është e mjaftueshme. Kurrë nuk do të jetë e mjaftueshme. Lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë e gjithanshme dhe në vetëvete është një proçes”, theksoi Sequi.

Top Channel